Policia e Pogradecit ka arrestuar dy persona të akuzuar për dhunimin e djalit dhe të bashkëshortes së komisionerit Entin Gega, i cili akuzoi Luan Tollozhinan.
Ata akuzohen për veprat penale “Goditja ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Po ashtu janë shpallur në kërkim edhe 4 persona të tjerë.
Sipas policisë nipi dhe vëllai i Luan Tollozhinës shkuan në afërsi të banesës së komisionerit Gega, dhe dhunuan djalin dhe bashkëshorten e tij.
Ndërkohë Gega ka deklaruar se konflikti nisi pasi ai së bashku me të bijën e Tollozhinës po debatonin lidhur me procesin e votimin, sa i përket votimit të personave me aftësi të kufizuar. Sipas dëshmisë së komisionerit socialist, pas këtij debati ka qenë Tollozhina ai i cili i është afruar dhe e ka qëlluar me pretendimin se po i ngacmonte të bijën.
Njoftimi
“Në vijim të informacionit të dhënë sot ku në qendrën e votimit nr.3901, shtetasi L. T., tashmë i arrestuar nga Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, dhunoi fizikisht komisionerin shtetasin E. G, ju informojmë se:
Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në dhunimin e djalit dhe të bashkëshortes së komisionerit E.G, i cili u dhunua nga shtetasi L.T
Si rezultat i hetimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 23 vjeç, dhe R. T., 58 vjeç, banues në Pogradec për veprat penale ” Goditja ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasit D. M., 30 vjeç, E. M., 35 vjeç, R. T., 37 vjeç, si dhe L. K., 34 vjeç. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas rreth orës 13:00, kanë shkuar në afërsi të banesës së komisionerit shtetasit E. G., 52 vjeç, dhe kanë dhunuar djalin dhe bashkëshorten e tij. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe kapjen dhe shoqërimin e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”
