Sekretari i Thesarit i SHBA-së Scott Bessent dhe përfaqësuesi i tregtisë Jamieson Greer thanë të dielën se arritën një marrëveshje me Kinën për të ulur deficitin tregtar të SHBA-së, duke përshkruar “përparim thelbësor” në bisedimet e nivelit të lartë me zyrtarët kinezë, por duke mos ofruar hollësi përfundimtare në dy ditë negociatash në Gjenevë të Zvicrës.
Bessent u tha gazetarëve se hollësitë do njoftoheshin të hënën dhe se presidenti i SHBA-së Donald Trump ishte plotësisht në dijeni të rezultateve të “bisedimeve produktive” me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng dhe dy zëvendësministra kinezë, shkruan Reuters.
Shefi i Thesarit të SHBA-së ka thënë më parë se këto detyrime përbëjnë një embargo tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë dhe duhet të “zbuten “.
Greer e përshkroi përfundimin e takimeve të Gjenevës si “një marrëveshje që arritëm me partnerët tanë kinezë” që do ndihmojë në uljen e deficitit tregtar global të mallrave të SHBA-së prej 1.2 trilion dollarësh.
Ai i quajti zëvendëskryeministrin e Kinës He, zëvendësministrin e Tregtisë Li Chenggang dhe zëvendësministrin e Financave Liao Min “negociatorë të ashpër”.
Takimi ishte ndërveprimi i parë ballë për ballë midis zyrtarëve të lartë ekonomikë të SHBA-së dhe Kinës që kur Trump mori detyrën dhe nisi një sulm global tarifor që filloi me shpalljen e një emergjence kombëtare mbi krizën e fentanilit në SHBA, duke vendosur një tarifë të re 20% për mallrat kineze në shkurt.
Trump pasoi me një taksë “të ndërsjellë” prej 34% për importet kineze në prill.