Vendosni fjalën kyçe....

Meta thirrje qytetarëve të votojnë më 11 maj: Nuk ka asgjë socialiste të lësh shtetin në dorën e krimit


Përmes një mesazhi në Facebook, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet parlamentare që mbahen këtë të diel, më 11 maj. Në një video-mesazh drejtuar mbështetësve dhe simpatizantëve të forcës që ai drejton, Meta u shpreh se është i bindur se edhe shumë socialistë do të bashkohen me frymën e ndryshimit.

“Sepse nuk ka asgjë socialiste të lësh shtetin në duart e krimit dhe të varfërosh mjekët, mësuesit dhe akademikët,” tha Meta, duke kritikuar qeverinë aktuale për braktisjen e shtresave në nevojë dhe keqpërdorimin e fondeve publike. Ai përmendi gjithashtu pensionet e ulëta dhe skandalet me inceneratorët si shembuj të abuzimeve që, sipas tij, do të marrin fund me ardhjen e forcave të reja në pushtet.

Meta garantoi se vota për Partinë e Lirisë është një garanci për mbajtjen e premtimeve të dhëna, duke premtuar ndryshime të prekshme në 100 ditët e para të qeverisjes së mundshme, veçanërisht për pensionistët, studentët dhe familjet në nevojë.

“Çdo anëtar dhe simpatizant të Partisë së Lirisë e ftoj që në këto 48 orë të fundit të bindë edhe një mik, një të afërm apo një komshi për t’u bashkuar me ndryshimin historik të 11 majit,” theksoi Meta.

Ky mesazh vjen ndërsa Meta ndodhet në burgun 313, ku po vuan dënimin pas arrestimit të tij më 21 tetor 2024.