Vendosni fjalën kyçe....

“Është normale të premtoni diçka që nuk varet nga ju plotësisht?”, Rama i shmanget pyetjes në lidhje me pasaportën e BE-së


3 ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, kryeministri Rama, i ftuar në emisionin Top Story, ka përmendur sërish elementin kryesor të fushatës së tij zgjedhore, futjen e Shqipërisë në BE.

Ai ka përgëzuar punën e administratës përgjatë këtyre viteve, duke u shprehur se edhe inteligjenca artificiale ka qenë një ndihmë e madhe mekanike për shkurtimin e këtij procesi. 

Duke folur për kundërshtarët e tij politikë, kryeministri u shpreh se nëse “një lojtar tjetër fushe del si fytyra e Shqipërisë, Shqipëria do të hyjë në rutinë dhe procesi i integrimit do të bëhet i pamundur”. Mirëpo gjatë kësaj fjale, Rama theksoi që nga kundërshtarët e tij politikë, “vetëm bufi mund të dalë si fytyra e Shqipërisë, sepse s’ka kush del tjetër”.

Duke folur për integrimin në BE, gazetarja Grida Duma shtroi pyetjen: “Është normale të premtoni diçka që nuk varet nga ju plotësisht?”

Rama iu shmang kësaj pyetjeje, duke u përqëndruar në përdorimin e metaforës “aheng” për fushatën e tij, duke u shprehur se askush s’ka kuptuar asgjë nga hapja e fushatës.

“Kënetat mediatike u shqetësuan shumë nga muzika popullore, se flenë me Moxartin e ngrihen me Shopenin”, u shpreh ai.