
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi, ka denoncuar publikisht një rast që e cilëson si manipulim të pastër të votës dhe përdorim të administratës publike për qëllime elektorale në favor të Partisë Socialiste.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi ka publikuar një foto të një formulari, që sipas tij u është shpërndarë punonjësve të OSHEE-së në Tiranë.
Ai pretendon se këta punonjës janë detyruar të sigurojnë nga 10 votues për ministrin e Brendshëm në detyrë, Ervin Hoxha, nën kërcënimin e humbjes së vendit të punës.
Sipas Këlliçit, formulari përmban edhe dy numra telefoni, që përdoren për të kontaktuar personat e shënuar në listë dhe për të verifikuar mbështetjen e tyre për ministrin në fjalë.
Ai thekson se kjo praktikë përbën një formë të qartë patronazhimi dhe cënon rëndë lirinë e votës.
“Ky është formulari me të cilin punonjësit e OSHEE-së në Tiranë detyrohen të gjejnë 10 votues për Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha. Kërcënimi: humbja e vendit të punës”, shkruan Këlliçi, duke shtuar se kjo po ndodh në ditët e fundit përpara zgjedhjeve, deri të premten, një ditë para fillimit të heshtjes zgjedhore.
Ai i bën thirrje SPAK-ut që të nisë menjëherë një hetim penal mbi këtë rast, duke e cilësuar si një krim elektoral të rëndë.
“Task Forca e SPAK-ut mund të mjaftohet me këtë denoncim për të hapur një procedim penal, pasi faktet janë të hapura dhe manipulimi i votës është skandaloz. Çdo vonesë është e pajustifikuar dhe cënuese për procesin zgjedhor”, shprehet ai.