
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka akuzuar publikisht një personazh të njohur me emrin “Tan Lepri”, të cilin e cilëson si pjesë të një skeme për blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste.
Sipas Bardhit, ky person po vepron në qytetet e Lushnjës, Divjakës dhe Fierit me mbështetjen e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit.
Ai deklaroi se bëhet fjalë për përpjekje të drejtpërdrejta për të ndikuar në rezultatin zgjedhor përmes parave të paligjshme.
“Prej shumë kohësh tashmë, në disa zona në Lushnjë, Divjakë dhe Fier, lëviz me bekimin e Belinda Ballukut dhe nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit një personazh me emrin ‘Tan Lepri’, që mendon se me paratë e pista të përfituara në shkelje të ligjit nga Belinda, do të blejë dinjitetin e qytetarëve të qarkut Fier,” shkruan Bardhi në një postim në rrjetet sociale.
Postimi i Bardhit:
Prej shumë kohësh tashmë, në disa zona në Lushnje, Divjakë dhe Fier, lëviz me bekimin e Belinda Ballukut dhe nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit, një personazh me emrin “Tan Lepri”, që mendon se me paratë e pista të përfituara në shkelje të ligjit nga Belinda, do të blejë dinjitetin e qytetarëve të qarkut Fier.
Ky personazh është një terrorist elektoral dhe do të trajtohet me gjithë forcën e ligjit si i tillë. Nuk ka për t’u amnistuar askush që mendon se në vitin 2025 mund të shërbejë si kamikaz për të hedhur në erë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Shpreh keqardhjen e plotë që edhe pse vetëm 3 ditë nga data e zgjedhjeve SPAK ende nuk ka gjetur kohë të merret me krimet zgjedhore në Fier, edhe pse ka një mal me përgjime, materiale e denoncime për secilin prej terroristëve elektoral që po vepron në këtë qark, përfshirë personazhin në fjalë. Është urgjente që kufinjtë e ligjit të tregohen përpara zgjedhjeve, sepse ndëshkimi në kohë është jetik për demokracinë dhe shtetin ligjor.