
Deputeti socialist dhe kandidati për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Tiranë, Fatmir Xhafaj, deklaroi se Reforma në Drejtësi është ende në proces konsolidimi dhe mbetet një nga prioritetet kyçe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
I ftuar në studion e News24, ai theksoi se ndonëse janë bërë hapa të rëndësishëm, puna nuk ka përfunduar.
“Është gabim të mendohet se reforma në drejtësi është një proces i përfunduar përgjithmonë,” tha Xhafaj.“Institucionet e reja duhet të konsolidohen në përputhje me standardet më të mira evropiane.”
Duke iu referuar kritikëve të punës së Komisionit Antikorrupsion, të cilin ai e drejton në Kuvend, Xhafaj i cilësoi akuzat si të pabaza.
“Janë spekulime publike. Ata që akuzojnë nuk lexojnë as dokumentet, as analizat që kemi bërë,” u shpreh ai me ton të prerë.
“Komisioni është një nga institucionet më transparente – çdo dokument, çdo letër, çdo vendim është publik në faqen zyrtare të komisionit. Ka një analizë me 700 faqe ku është skanuar puna e ekzekutivit dhe parlamentit në fushat e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.”
I njohur si një nga arkitektët e reformës në drejtësi, Xhafaj kujtoi përplasjet që kanë shoqëruar këtë proces qysh nga nisja e tij:
“Kur nisi reforma, pati shumë rezistencë – brenda dhe jashtë komisionit. Por ajo që mbetet është produkti. Fjalët ikin, puna mbetet.”
Në mesazhin e tij për opozitën, ai dha një këshillë të drejtpërdrejtë:
“PD është mirë të shkojë të bindë qytetarët dhe të realizojë atë që thotë kur të vijë në pushtet. Fakti që jemi ne sot, tregon që qytetarët na kanë besuar se do bëjmë ato që themi.”