Vendosni fjalën kyçe....

“Gjermania ‘tirani e maskuar’, rindërtoi Murin e Berlinit” – Vance e Rubio kritikojnë ashpër shpalljen e AfD-së parti të ekstremit të djathtë


Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance dhe Sekretari i Shtetit Rubio kritikuan ashpër Gjermaninë për trajtimin që Berlini zyrtrar i bën partisë së djathtë AfD. Vance e krahasoi shpalljen e AfD-së si parti e ekstremit të djathtë është njësoj si rindërtimi i Murit të Berlinit.

Të premten, shërbimi sekret gjerman, BfV, e klasifikoi AfD-në si organizatë “ekstremiste”, duke përmendur “deklarata ksenofobike, antiemigrante dhe antimuslimane të bëra nga zyrtarë kryesorë të partisë”. Ky përcaktim i mundëson policisë të mbikëqyrë nga afër veprimtaritë e partisë.

“AfD-ja është partia më popullore në Gjermani dhe deri tani më përfaqësuesja e Gjermanisë Lindore. Tani burokratët përpiqen ta shkatërrojnë atë,” shkroi Vance në X.

“Perëndimi shembi Murin e Berlinit. Dhe ai është rindërtuar – jo nga sovjetikët apo rusët, por nga struktura gjermane,” shtoi ai.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio e kritikoi ashpër Berlinin për përcaktimin e Alternativës për Gjermaninë (AfD), partinë më popullore në vend sipas sondazheve të fundit, si “ekstremiste”. Këto veprime nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë, ka paralajmëruar ai.

“Gjermania sapo i dha agjencisë së saj të spiunazhit kompetenca të reja për të survejuar opozitën,” shkroi Rubio në X të premten.

“Kjo nuk është demokraci – është tirani e maskuar.”

Duke shpjeguar masën, agjencia sekrete përmendi “natyrën ekstremiste të partisë, e cila shpërfill dinjitetin njerëzor”.

“Ajo që është me të vërtetë ekstremiste nuk është AfD-ja popullore por politikat vdekjeprurëse të emigracionit të hapur që AfD kundërshton,” argumentoi Rubio, duke i bërë thirrje Berlinit të “ndryshojë kursin e tij”.

Partia ka gëzuar mbështetjen e Uashingtonit që kur presidenti amerikan Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë.

Bashkëudhëheqësja e partisë, Alice Weidel, akuzoi qeverinë për përpjekje për të shuar disidencën. “Meqenëse AfD është partia më e fortë në sondazhe tani, ata duan të shtypin opozitën dhe lirinë e fjalës,” shkroi ajo në X.

AfD u themelua në vitin 2013 si një reagim ndaj trajtimit të krizës së borxhit të eurozonës nga Gjermania. Që atëherë ajo ka zhvendosur fokusin në kërkesën e ligjeve më të rrepta të emigracionit dhe azilit dhe në kundërshtimin e “axhendës ëoke”. Partia është gjithashtu kritike ndaj NATO-s dhe ka organizuar protesta kundër dërgimit të armëve në Ukrainë.

AfD përfundoi e dyta në zgjedhjet federale në shkurt, duke fituar 152 vende në Bundestagun me 630 vende. Muajin e kaluar, ajo kryesoi sondazhet për herë të parë, me 26% mbështetje.

AfD është përfshirë në polemika, pasi disa anëtarë kanë pasur lidhje me grupet e djathta ose kanë përdorur slogane të lidhura me Gjermaninë naziste.