
Shtetet e Bashkuara miratuan të premten një marrëveshje armësh me vlerë 3.5 miliardë dollarë për Arabinë Saudite, pak ditë para vizitës së Presidentit Donald Trump në mbretëri, përcjell Kyiv Post.
Departamenti i Shtetit bëri të ditur se e ka njoftuar Kongresin për marrëveshjen, e cila përfshin blerjen nga Arabia Saudite të 1,000 raketave ajër-ajër me rreze të mesme.
Raketat AIM-120, të prodhuara nga kompania amerikane RTX Corp. me bazë në Arizona, janë ndër më të përdorurat nga forcat ajrore në mbarë botën. Ato drejtohen nga radarë aktivë pasi lëshohen nga pilotët.
Vizita e Trump në Arabinë Saudite do të pasohet nga ndalesa në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, nga data 13 deri më 16 maj. Kjo do të jetë vizita e tij e parë jashtë vendit gjatë mandatit të dytë presidencial – përjashtuar një udhëtim të shkurtër në Romë për funeralin e Papa Françeskut.
Trump është shprehur se ka siguruar marrëveshje të rëndësishme tregtare me Arabinë Saudite, një vend kyç për diplomacinë amerikane në lidhje me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.