
Pas më shumë se një dekade në arrati dhe i strehuar prej të paktën 7 vitesh në Dubai, Florenc Çapja, një prej emrave më të njohur të botës së krimit, jo vetëm në qytetin e Elbasanit por edhe në disa vende të botës, më në fund u ekstradua në Shqipëri.
44-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm se porositi një vrasje të dyfishtë dhe i akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, mbërriti pasditen e kësaj të premteje në aeroportin e Rinasit, nën masa të rrepta sigurie nga Dubai.
“The Wanted”, e ka koduar Policia e Shtetit operacionin i cili u finalizua me autoritetet emiratase, duke e çuar kështu në 3 numrin e të shumëkërkuarve të mbërritur nga Dubai, pas Julian Mecajt dhe Plarent Dervishit.
“Në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Florenc Çapja, së bashku me xhaxhain e tij Ardian Çapja, që është kreu i grupit kriminal të njohur të Çapjave të Elbasanit, janë të dënuar me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012.
Gjithashtu ndaj 44-vjeçarit kishte një tjetër mandat për kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, plan që nuk u realizua. Kjo akuzë u formulua nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të operacionin “Plumbi i Artë”.
Ardian Çapja është i burgosur prej disa vitesh, por Florenci mundi t’i shpëtonte arrestimit, pas rrëfimeve të kreut të grupit të vrasësve me pagesë, Nuredin Dumani, duke u fshehur në Dubai, ku dhe nisën procedurat për arrestim dhe ekstradim. Vitet e fundit grupi “Çapja” sipas përgjimeve, hetimeve dhe rrëfimeve të Dumanit, kishte hyrë në ‘konflikt të përgjakshëm’ edhe me organizatën e Suel Çelës, po në Elbasan.
Gjithashtu Florenc Çapja është nën akuzë për një atentat të mbetur në tentativë ndaj ish-efektivit të rrugores në Elbasan Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në vitin 2006. Kjo dosje aktualisht ndodhet për rigjykim në Gjykatën e Elbasanit pasi Gjykata e Lartë zhbëri një vendim të vitit 2019 që pushoi çështjen.
Në fillim të janarit të këtij viti SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të sekuestruara Florenc Çapjas pasi që prej vitit 2022 nisi një hetim pasuror. Nga 10 pasuri të sekuestruara dhe që SPAK kërkon që t’i kalojnë në shtetit, 8 janë në emër të babait dhe nënës së Florenc Çapjas, të gjitha në Lagjen “Emin Matraxhiu në Elbasan, që konsiderohet si bazë e grupit të strukturuar kriminal të Capjave.