
Një anije që transportonte ndihma humanitare dhe aktivistë për Gazën është bombarduar nga dronë dhe është dëmtuar rëndë në ujërat ndërkombëtare pranë Maltës, teksa po lundronte drejt territorit palestinez, kanë bërë të ditur organizatorët e saj për The Guardian.
“Sot në orën 00:23, me orën e Maltës, anija Conscience, pjesë e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, u sulmua drejtpërdrejt në ujërat ndërkombëtare,” thuhet në deklaratën e lëvizjes.
Sipas tyre, “dronë të armatosur goditën dy herë pjesën e përparme të një anijeje civile të paarmatosur, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime të mëdha në trupin e saj.” Ata fajësojnë Izraelin për sulmin, megjithëse ky i fundit nuk ka komentuar akuzat.
Aktivistët pohojnë se sulmi synoi gjeneratorin e anijes, duke e lënë atë pa energji dhe në rrezik për t’u fundosur. Pamje të publikuara në rrjete sociale nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë tregojnë flakë të mëdha dhe shpërthime në bordin e anijes.
Qeveria malteze konfirmoi se 12 anëtarë të ekuipazhit dhe katër pasagjerë civilë ndodhen në gjendje të sigurt. “Nuk raportohet për viktima,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se një rimorkiator është nisur për të ndihmuar anijen në nevojë.
Organizata bëri të ditur se aktivistë nga 21 shtete ndodheshin në bord në një “mision për të sfiduar bllokadën e paligjshme dhe vdekjeprurëse të Izraelit mbi Gazën dhe për të dërguar ndihmë jetike dhe urgjente”.
Në deklaratë kërkohet: “Ambasadorët izraelitë duhet të thirren urgjentisht për të dhënë llogari për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, përfshirë bllokadën dhe bombardimin e anijes sonë civile në ujërat ndërkombëtare.”
Izraeli vendosi një bllokadë të rreptë mbi Gazën dy muaj më parë, duke ndaluar çdo dërgesë me ushqime, karburant, ilaçe apo materiale të tjera jetike. Që nga mesi i marsit, sulmet ushtarake në territorin palestinez janë intensifikuar pas dështimit të një armëpushimi të përkohshëm.
Organizatat humanitare në Gaza kanë shpërndarë rezervat e fundit të miellit dhe ushqimeve bazë, ndërsa zyrtarët lokalë paralajmërojnë se kuzhinat popullore që ushqejnë njerëzit në nevojë do të detyrohen të mbyllen brenda një jave deri në 10 ditë.
Zyrtarë izraelitë kanë pretenduar se ndihmat vidhen nga Hamasi për t’i shpërndarë luftëtarëve apo për t’i shitur për fonde. Organizatat në terren mohojnë çdo vjedhje të përhapur të ndihmave.
Flotilja e Lirisë ka një histori përplasjeje me autoritetet izraelite. Në vitin 2010, një anije e mëparshme e nisur nga Turqia, Mavi Marmara, përfundoi në gjakderdhje kur forcat izraelite e sulmuan, duke vrarë 10 persona dhe plagosur 28 të tjerë.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit jugor në tetor 2023, ku mbetën të vrarë rreth 1,200 persona, shumica civilë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, të paktën 2,326 persona janë vrarë që nga rifillimi i sulmeve izraelite në mes të marsit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në mbi 52,400 – kryesisht civilë.a