
Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht në SPAK ish-nënkryetaren e Bashkisë Korçë, Besa Spaho, për shkelje të rënda të ligjit zgjedhor. Sipas PD-së, Spaho, së bashku me drejtues të tjerë lokalë, është përfshirë në veprime që cënojnë integritetin e procesit zgjedhor në qytetin e Korçës.
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Korçës, Ivi Kaso, deklaroi se kallëzimi penal është bërë për përfshirje në blerje votash në favor të Partisë Socialiste, si dhe për ushtrim presioni ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
“E kemi paditur në SPAK atë së bashku me enturazhin e vet – drejtorët rajonalë të AKU-së, hipotekës, tatim-taksave – të cilët janë turrur për të blerë votat e PS,” tha Kaso. “Janë turrur për t’iu bërë presion dhe shantazh bizneseve dhe qytetarëve për të votuar personalisht Besa Spahon.”
Ai theksoi se PD po dokumenton çdo rast të dyshuar dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të garantuar një proces të rregullt zgjedhor.
“Paralajmërojmë të gjithë këta banditë zgjedhorë, duke filluar nga Niko Peleshi, duke vazhduar te Besa dhe gjithë enturazhi i tyre, që pas datës 11 Maj përveçse me demokratët dhe PD, do të përballen dhe do të kenë hesapet e tyre me drejtësinë,” u shpreh ai.
Kaso i bëri thirrje qytetarëve që të mos tremben nga presionet dhe të marrin pjesë të qetë në zgjedhjet e 11 majit.
“I ftojmë qytetarët që të votojnë të qetë në 11 Maj sepse vota e tyre është e garantuar, do të ruhet dhe do të mbrohet,”theksoi ai. “PD është në krye të detyrës, është duke monitoruar gjithçka dhe duke ia referuar SPAK-ut sikundër Besën dje dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.”
Në përfundim të deklaratës, Kaso u shpreh optimist për rezultatin e zgjedhjeve: “Në 11 Maj, së bashku me votën e qytetarëve që do të votojnë masivisht numrin 1, të gjithë së bashku kemi për të bërë ndryshimin.”