
Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje që i jep Uashingtonit akses në disa nga burimet natyrore të territorit ukrainas, ende të goditur nga lufta.
Marrëveshja, e cila ka qenë në përgatitje prej muajsh, krijon një fond investimi që Kievi shpreson të shërbejë si garanci për vazhdimin e mbështetjes amerikane, ndërsa Ukraina përpiqet të zmbrapsë agresionin rus tre vite pas pushtimit.
Sipas një drafti të marrëveshjes të siguruar nga BBC dhe deklaratave zyrtare nga të dyja palët, këto janë disa nga pikat kryesore:
Asnjë detyrim për kthimin e ndihmës amerikane
Ndërkohë që presidenti Trump ka kërkuar më parë që Ukraina të kthejë 350 miliardë dollarë ndihmë që SHBA ka dhënë gjatë luftës, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal konfirmoi se marrëveshja nuk përfshin asnjë detyrim për shlyerjen e këtij “borxhi”.
Retorikë më e ashpër ndaj Rusisë nga SHBA
Departamenti i Thesarit të SHBA e cilësoi marrëveshjen si një sinjal të qartë kundër agresionit rus. Në deklaratë flitet për “pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë” dhe thuhet se asnjë shtet apo individ që ka financuar ose furnizuar makinerinë e luftës ruse nuk do të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës.
Nafta dhe gazi përfshihen në marrëveshje
Përveç mineraleve, marrëveshja përfshin edhe projekte për nxjerrjen e naftës dhe gazit, si dhe infrastrukturën përkatëse. Të gjitha burimet mbeten në pronësi të Ukrainës, por SHBA do të ketë akses të përbashkët – një ndryshim ky nga versionet e mëparshme të marrëveshjes.
Marrëveshja nuk pengon integrimin e Ukrainës në BE
Marrëveshja thekson se nuk do të cënojë aspiaratat e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në rast se ky proces kërkon rishikim të kushteve të marrëveshjes, SHBA ka pranuar të negociojë në mirëbesim.
Angazhim ushtarak i SHBA?
Sipas zv.kryeministres ukrainase Yulia Svyrydenko, marrëveshja parasheh edhe ndihmë të re ushtarake nga SHBA në të ardhmen, përfshirë sisteme mbrojtëse ajrore. Megjithatë, nuk ka garanci konkrete sigurie – një pikë që Kievi e ka kërkuar vazhdimisht.
Fitimet do të riinvestohen në Ukrainë për 10 vitet e para
Qeveria ukrainase thekson se për dekadën e parë, fitimet nga fondi i investimeve do të riinvestohen plotësisht në ekonomi, në projekte të reja apo në procesin e rindërtimit. Megjithatë, kjo klauzolë duket se nuk është përfshirë në tekstin zyrtar të marrëveshjes dhe mund të jetë pjesë e një aneksi teknik në të ardhmen.
SHBA mund të tërhiqet në çdo moment
Megjithëse marrëveshja sjell një angazhim ekonomik të rëndësishëm, mungesa e garancive të detyrueshme mbetet një pikë e brishtë. SHBA mund të tërhiqet nga mbështetja në çdo moment, duke lënë Ukrainën pa garanci të forta afatgjata.