
Një 24-vjeçar nga Durrësi është arrestuar nga Policia e Shtetit pasi publikoi video në rrjetin social TikTok ku bënte thirrje të drejtpërdrejta për akte të dhunshme, përfshirë edhe nxitjen për djegien e një automjeti të Policisë së Shtetit.
Strukturat e specializuara të Policisë zbuluan përmbajtjen e dhunshme gjatë monitorimit të rrjeteve sociale, dhe pas një hetimi të shpejtë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me platformat e rrjeteve sociale, u bë e mundur identifikimi dhe kapja e autorit.
I riu i identifikuar është Devis Faruku, banues në lagjen Perimore në Sukth, Durrës. Ai u ndalua nga forcat policore në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Antiterrorizëm Tiranë dhe Stacionin e Policisë Manzë, nën akuzën për “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhim, mbajtje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Në një nga videot e publikuara nga një adresë false në TikTok, Faruku bënte thirrje për ndjekjen dhe promovimin e një akti të dhunshëm: djegien e një makine të Policisë së Shtetit, duke tentuar të nxisë reagime të rrezikshme në publik.
Drejtoria e Antiterrorit vijon hetimet për të vlerësuar rrezikshmërinë dhe ndikimin e materialeve të publikuara, në përputhje me ligjet në fuqi.