
Drejtuesja politike e PS-së për qarkun Tiranë, Elisa Spiropali, po zhvillon një fushatë të gjerë në të katërta bashkitë e qarkut – Kavajë, Kamëz, Rrogozhinë dhe Vorë – me synimin e qartë për të siguruar 20 mandate në zgjedhjet e 11 majit.
Fushata përfshin një seri takimesh të personalizuara dhe interaktive: vizita në familje, biznese, bashkëbisedime me profesionistë, gra, të rinj dhe fermerë, si dhe aktivitete motivuese me votues të rinj. Spiropali po shoqërohet në terren nga figura të njohura të PS-së si Pandeli Majko, Ilva Gjuzi, Eldi Çepeli, Antonela Dedej, Lindita Nikolla dhe të tjerë.
Në Kavajë, ajo u shpreh se qyteti është gati për “një nga fitoret më të bukura të PS-së”, duke e konsideruar këtë zonë pjesë të rëndësishme të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian. “Kavaja nuk është më peng i askujt. Më 11 maj qytetarët do të votojnë për zhvillim dhe për Shqipërinë europiane”, deklaroi Spiropali, duke kritikuar ashpër kundërshtarët politikë dhe duke risjellë në vëmendje ngjarje historike si Gërdeci dhe 21 janari.
Në Rrogozhinë, Spiropali theksoi besimin e qytetarëve në qeverisjen e PS-së dhe në drejtësinë e pavarur.
“Rrogozhina ka qenë dhe do të jetë krah nesh. Pas 11 majit, ne do të menaxhojmë fitoren, ndërsa kundërshtarët do të përballen me pasojat e gabimeve të tyre.”
Gjatë takimeve në Luz të Madh, ajo foli për transformimin që po ndodh në zonë përmes investimeve publike dhe përkushtimit të qeverisë. Ndërsa në Kamëz, Spiropali vlerësoi ritmet e larta të zhvillimit, duke premtuar më shumë mbështetje në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.
Spiropali e përmbylli mesazhin e saj me besimin se qytetarët do të votojnë për drejtësi, zhvillim dhe integrim europian, duke zgjedhur Partinë Socialiste si forcën e vetme që ofron garanci për të ardhmen.