Gjuetia ka nisur për të gjetur shkakun e një ndërprerjeje të rëndë të energjisë elektrike në Spanjë, Portugali dhe pjesë të Francës që ndaloi trenat, metrotë, bankat, emaforët dhe gjithçka tjetër jetike në një nga dështimet më të mëdha të sistemit energjetik në Evropë.
Sulm kibernetik?
Operatori spanjoll i rrjetit Red Electrica përjashtoi një sulm kibernetik si shkak, por Gjykata e Lartë e Spanjës tha se do hapte një hetim për të përcaktuar shkakun.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez tha të martën se edhe nëse Red Electrica do e kishte përjashtuar një sulm kibernetik ndaj sistemeve të saj, nuk do thotë se një i tillë nuk ka ndodhur.
Shpjegimet deri tani
Red Electrica tha se kishte identifikuar dy incidente të humbjes së prodhimit të energjisë, ndoshta nga termocentralet diellore, në Spanjën jugperëndimore që shkaktuan paqëndrueshmëri në sistemin elektrik dhe çuan në një prishje të ndërlidhjes së saj me Francën. Sistemi elektrik dështoi, duke prekur të dy sistemet spanjolle dhe portugeze.
Spanja po eksportonte energji në Francë dhe Portugali në kohën e ndërprerjes. Eksportet në Francë ishin afër kapacitetit neto të eksportit deri në orën 10 të paradites. Sipas të dhënave të Red Electrica, eksportet drejt Francës u ndalën në orën 12 e 35.
Bashkimi Evropian do nisë një hetim të plotë të ndërprerjeve të rënda të energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali të hënën, tha të martën komisioneri i BE-së për Energjinë, Dan Jorgensen.
Rrjeti spanjoll është i ndërlidhur me ato të Francës, Portugalisë, Marokut dhe Andorrës.
Çfarë i shkakton ndërprerjet e energjisë?
Shkaku më i zakonshëm i një ndërprerjeje të paplanifikuar të energjisë elektrike, e cila çaktivizon energjinë elektrike në shkallë të gjerë, është moti ekstrem, si stuhitë, goditjet e rrufesë ose erërat e forta. Moti në kohën e kolapsit të së hënës ishte i mirë.
Ndërprerjet e energjisë mund të ndodhin gjithashtu kur ka defekte në stacionet e energjisë, linjat e shpërndarjes së energjisë, nënstacionet ose pjesë të tjera të sistemit.
Rrjedha e energjisë elektrike ndërmjet sistemeve në Evropë mbahet në 50 Hertz (Hz) për të siguruar qëndrueshmëri. Nëse ky nivel ndryshon, sistemet rezervë shkëputin asetet si burimet e prodhimit të energjisë nga rrjeti për t’i mbrojtur ato nga dëmtimi.
Sistemi energjetik i Spanjës
Spanja është një nga prodhuesit më të mëdhenj evropianë të energjisë së rinovueshme, duke u mbështetur tek era dhe dielli për 43% të totalit, shumë mbi mesataren globale, tregojnë të dhënat nga Ember.
Fotovoltaiku diellor (PV) përbënte 59% të energjisë elektrike të Spanjës në kohën e ndërprerjes, era gati 12%, energjia bërthamore pothuajse 11% dhe impiantet e turbinave të gazit me cikël të kombinuar (ÇGT) 5%, treguan të dhënat e Red Electrica. Kjo krahasohet me prodhimin diellor që është 50%, era 3%, bërthamore gati 15% dhe ÇGT gati 11% në të njëjtën ditë të vitit të kaluar.
Megjithatë, në një hark kohor prej vetëm pesë minutash, ndërmjet orës 12 e 30 dhe 12 e 35 me orën lokale të hënën, prodhimi i PV diellore ra me më shumë se 50% në 8 gigavat (GW) nga më shumë se 18 GW, treguan të dhënat. Shkaku nuk dihet.
Cilët faktorë mund të përfshihen?
Duke çuar deri në ndërprerje, ekspertët dhe burimet e industrisë thanë se rrjeti spanjoll funksiononte me shumë pak inerci, e cila është energjia e ruajtur në gjeneratorë të mëdhenj rrotullues me avull ose turbina me gaz, i cili vepron si një tampon pasi mund të përdoret shpejt për të kompensuar ndryshimet e papritura në kërkesë ose ofertë. Nga ana tjetër, dielli siguron pak masë rrotulluese në rrjet.
Prodhimi i energjisë nga gazi përbënte rreth 5% të prodhimit të energjisë elektrike të hënën. Prodhimi i qymyrit po hiqet gradualisht në Spanjë deri në vitin 2025. Fabrika më e madhe e qymyrit u mbyll vitin e kaluar.
Si rikthehet energjia
Procesi i rivendosjes së energjisë pas një ndërprerjeje të madhe njihet si “fillimi i zi”. Ai përfshin rinisjen graduale të termocentraleve individualisht dhe rilidhjen e tyre me rrjetin.
Ndërsa Spanja u përpoq të merrte më shumë energji të hënën, ajo aktivizoi më shumë gaz dhe hidrocentrale në rrjet dhe rriti importet e energjisë nga Franca dhe Maroku.
Kolapsi i së hënës ka ndezur debatin nëse paqëndrueshmëria e furnizimit me diell dhe erë i ka bërë sistemet energjetike të Spanjës më të prekshme ndaj një ndërprerjeje të tillë.
Kryeministri Sanchez tha të martën se nuk kishte problem me energji të tepërt të rinovueshme, duke shtuar se kërkesa në kohën e ndërprerjes ishte relativisht e ulët dhe se kishte furnizim të bollshëm.
Komisioneri i BE-së Jorgensen tha se shkaku i ndërprerjes së energjisë nuk mund të reduktohet në ndonjë burim të caktuar energjie.
Megjithatë, zhvillimi i shpejtë i burimeve të rinovueshme në Evropë ka përmbytur rrjetet gjatë periudhave të dritës së madhe të diellit dhe kërkesës së dobët, ndonjëherë duke i ulur çmimet e energjisë elektrike me shumicë në zero ose negative dhe duke detyruar fermat diellore të kufizojnë kontributin e tyre.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani

