Vendosni fjalën kyçe....

Cila është kompania e lobimit që po rrit vrullshëm ndikimin në Uashington


Në kërkimin e ndikimit në Uashington, Brian Ballard po bëhet një figurë e parapëlqyer, duke lënë anash rivalët ndërsa kompanitë dhe organizatat kërkojnë qasje në Shtëpinë e Bardhë.

Ballard Partners, e cila numëron anëtarët e kabinetit Trump, Susie Ëiles dhe Pam Bondi në mesin e të diplomuarve të saj, është në rrugën e duhur për më shumë se dyfishimin e të ardhurave në vitin 2024, me tremujorin e parë duke marrë 236 për qind të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Firma po zgjeron zyrën e saj në Uashington dhe po punëson.

“Ne do vijojmë të rritemi,” tha Ballard.

 “Shpresoj se nuk do tregohemi kurrë mburravecë, por me përulësi, të bëjmë punën tonë dhe t’i shërbejmë interesave të klientëve tanë.”

Fillimi i nxehtë i vitit i firmës ka katapultuar Ballard Partners në pikat më të larta të ndikimit në Uashington, së bashku me firmat më të mëdha si Broënstein Hyatt Farber Schreck dhe Akin Gump Strauss Hauer & Feld.

Regjistrimi i saj federal këtë javë tregon se ka grumbulluar një listë klientësh në një sërë industrish, nga bankat kryesore dhe kompanitë e kriptomonedhave deri te kujdesi shëndetësor, grupet e naftës dhe duhanit, titanët e teknologjisë, medias dhe telekomunikacionit, studiot e Hollivudit dhe ligat sportive.

Ballard nisi biznesin në Florida dhe u bë një grumbullues fondesh për kandidatët presidencialë republikanë në vitet 2008, 2012 dhe 2016. Pas fitores së Trump në 2016, firma hapi biznesin në Uashington me 21 klientë, ndërsa tani ka më shumë se 200.

Me kalimin e kohës, firma u zgjerua në Kaliforni, Izrael, Turqi, Nigeri dhe Arabinë Saudite, por Ballard thotë se “ADN” e saj vjen nga përvoja e tij e hershme si lobist gjatë sesioneve legjislative 60-ditore të Floridës.

“Ne kishim 60 ditë për t’i përfunduar gjërat. Në fund të 60 ditëve, ju kishit një Fitore ose një Humbje,” tha ai.

“ADN-ja e firmës sonë është se: ju fitoni ose humbni.”

Sot Ballard po shton 5,000 metra katrorë në zyrën e tij në Uashington, ndërsa kërkon të zgjidhë çështje të mprehta me Shtëpinë e Bardhë për një numër në rritje klientësh.

Ato përfshijnë TikTok-un, të cilin administrata Trump po përpiqet ta vendosë nën pronësinë e SHBA-së, si dhe Paramount, të cilën presidenti e ka paditur për një intervistë të Kamala Harris në CBS, pasi kompania kërkon të bashkohet me Skydance Media të David Ellison.

Shumë biznese po kërkojnë lehtësim taksash përpara skadimit të këtij viti të një numri të shkurtimeve të taksave të Trump në 2017-ë

“Unë mendoj se pjesa më e madhe e shkurtimeve të taksave të Trump do bëhen të përhershme,” tha Ballard.

Ballard po përfaqëson gjithashtu disa kolegje dhe universitete publike dhe private, pasi Shtëpia e Bardhë kërcënon të shkurtojë ndihmën federale mbi akuzat për antisemitizëm në kampuse. Midis tyre është edhe Harvardi, i cili po padit administratën Trump për vendimin e saj për të ngrirë miliarda grante.

“Ne përpiqemi të japim këshilla për këtë klimë të re,” tha Ballard.

“Gjërat si larmishmëria, barazia dhe përfshirja shkuan shumë larg. Dhe kjo është një pjesë e madhe e problemit. Ne kemi kundërshtuar një numër universitetesh sepse nuk mendonim se mund të ishim të dobishëm për kauzën e tyre.”

“Ata duhet të vendosin nëse duan të gjejnë një mënyrë për të punuar me këtë administratë për t’i mbajtur kampuset të sigurta për studentët – të gjithë studentët.”

Shumë nga klientët e Ballard po kërkojnë gjithashtu mbrojtje kundër politikave tregtare të Trump pasi ai njoftoi tarifa të gjera “të ndërsjella” më 2 prill, të cilën ai e quajti “dita e çlirimit”. Pasi tregjet ranë në përgjigje të masave, presidenti njoftoi një pauzë 90-ditore për shumicën e vendeve (me përjashtim të Kinës) për t’i lejuar ata të negociojnë marrëveshje të porositura me administratën.

“Ne kishim shpresë se do kishte një pezullim… për të lejuar që marrëveshjet të ndodhnin,” tha Ballard. “Ne jemi të kënaqur që administrata e bëri këtë.”

“Duket sikur Trump ka qenë president prej vitesh, por ai është kthyer në Shtëpinë e Bardhë më pak se 100 ditë më parë”, shtoi ai.

“Dhe aktiviteti është një vorbull aq e madhe saqë ne thjesht përpiqemi t’i bëjmë njerëzit të jenë të durueshëm. Ne përpiqemi të sigurohemi që ata të mos përpiqen të qëllojnë përtej shënjestrës.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani