Vendosni fjalën kyçe....

PD kërkon transparencë nga KQZ për problematikat me shpërndarjen e zarfeve për votuesit e diasporës


Partia Demokratike ka dërguar një kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku kërkon të informohet dhe të marrë në dispozicion të gjitha proces-verbalet që lidhen me problematikat e konstatuara gjatë shpërndarjes së zarfeve për votuesit e diasporës në të 12 qarqet e vendit.

Në shkresën e PD-së, të firmosur nga përfaqësuesi ligjor, Franc Nuri, kërkohen sqarime mbi problemet që po hasen me shpërndarjen e zarfeve përmes postës private, ku, sipas PD-së, janë raportuar shkelje të standardeve dhe protokolleve të publikuara nga KQZ.

Këto shqetësime kanë të bëjnë me procedurat e shpërndarjes së fletëve të votimit për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.

Gjithashtu, PD kërkon që të gjitha komunikimet mes KQZ-së, DHL-së, dhe kompanive të prodhimit të zarfeve, si dhe nën-kontraktorëve të tyre, që nga momenti i konstatuar të problematikave, të bëhen publike dhe të vihen në dispozicion pa vonesë, në emër të transparencës dhe interesit publik.