
Partia Demokratike ka prezantuar prioritetet e saj për transportin rrugor, të cilat synon t’i realizojë pas 11 majit, nëse fiton zgjedhjet. Kreu i PD-së, Sali Berisha, theksoi se projektet kryesore përfshijnë zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, përmirësimin e aksit Milot-Lezhë-Shkodër dhe ndërtimin e unazës periferike të Shqipërisë.
“Për ne, përparësi absolute është zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me tre korsi dhe korsi urgjence në të dyja anët,” u shpreh Berisha, duke shtuar po ashtu, se zgjerimi i rrugës Milot-Shkodër është një domosdoshmëri dhe emergjencë.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është ndërtimi i unazës periferike, të cilën Berisha e konsideroi si një investim strategjik për lidhjen më të mirë të vendit. Ai theksoi se kjo rrugë ka qenë një plan i hershëm dhe se PD do të rikthehet me vendosmëri në realizimin e saj.
Gjithashtu, Berisha premtoi një fokus të veçantë te infrastruktura rurale, duke garantuar përmirësimin e rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve dhe shkollave në zonat e largëta.
“Banorët e fshatit duhet të kenë të njëjtat kushte infrastrukturore si ata të qytetit. Ndryshe, pse do të jetonin aty?” tha ai.
Sipas tij, mirëmbajtja e rrjetit rrugor do të jetë një përparësi absolute për qeverisjen e PD-së, duke garantuar një sistem transporti më efikas dhe të qëndrueshëm në të gjithë vendin.