Vendosni fjalën kyçe....

Zelenski tregohet i gatshëm për një armëpushim të menjëhershëm në qiell dhe në det


Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u tregua i gatshëm për të nisur hapat e parë drejt përfundimit të luftës, duke theksuar se fazat e hershme duhet të përfshijnë lirimin e të burgosurve dhe një armëpushim.

Zelenski nënvizoi se armëpushimi duhet të nisë nga ajri, duke përfshirë ndalimin e lëshimit të raketave, dronëve me rreze të gjatë, dhe bombardimeve të rrjeteve të energjisë dhe infrastrukturës civile.

“Një ndalim i lëshimit të raketave, dronëve me rreze të gjatë, bombardimi i rrjeteve të energjisë dhe infrastrukturës tjetër civile, por kjo duhet të bëhet edhe nga Rusia nëse ajo e do paqen,” u shpreh ai në platformën X.

Presidenti gjithashtu vuri në pah se Ukraina është e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara për të arritur një marrëveshje përfundimtare të qëndrueshme.

“Ne si Ukrainë duam të ecim shumë shpejt nëpër të gjithë hapat e ardhshëm dhe të punojmë me Shtetet e Bashkuara për të rënë dakord për një marrëveshje përfundimtare qëndrueshme,” përfundoi ai.