
Qeveria e parë trepartiake e Austrisë që pas Luftës së Dytë Botërore mori detyrën të hënën, duke i dhënë fund pritjes më të gjatë të vendit për një koalicion qeverisës dhe duke mbajtur jashtë pushtetit Partinë e Lirisë (FPO) e ashtuquajtur e ekstremit të djathtë.
Ndonëse FPO-ja fitoi zgjedhjet parlamentare të shtatorit me rreth 29% të votave, partia euroskeptike nuk arriti të formonte një koalicion, duke hapur derën për një alternativë të qendrës.
Pasi oferta e FPO s’u pranua, Partia Popullore konservatore (OVP), Social Demokratët (SPO) dhe liberalët Neos arritën një aleancë, duke kapërcyer dështimin e tyre të mëparshëm për të bërë një marrëveshje.
“Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin, me realizimin e gjërave”, tha Presidenti Alexander Van der Bellen, duke lënë të kuptohet shqetësimet se një koalicion trepalësh mund të rezultojë i brishtë pasi ato dypartiake tashmë kanë zakon të prishen, siç ndodhi për herë të fundit në 2019 dhe 2017, shkruan Reuters.
Sikur të dështonte përpjekja e fundit e koalicionit të qeendrës, do kishte pak alternativa ndaj zgjedhjeve të parakohshme, të cilat sondazhet sugjeruan se do kishin rritur pjesën e votave të FPO-së.
Qeveria e re e kryesuar nga kancelari Christian Stocker i OVP-së merr detyrën pas dy vitesh recesioni dhe planifikon shkurtime të shpenzimeve dhe rritje të taksave për bizneset e mëdha për të ulur deficitin buxhetor të Austrisë brenda kufijve të Bashkimit Evropian dhe për të shmangur procedurat disiplinore nga Brukseli.
“Ka shumë për të bërë, sfidat janë të mëdha dhe të gjera,” tha Stocker, teksa mori detyrën nga kancelari i përkohshëm Alexander Schallenberg.
Qeveria e tij planifikon rregulla më të rrepta të emigracionit, si dhe dënime më të ashpra kundër ekstremizmit dhe “islamit politik” pas një sulmi vdekjeprurës me thikë nga një refugjat sirian.
FPO-ja ka përfituar nga shqetësimet në lidhje me emigracionin dhe sigurinë dhe i ndërthur të dyja çështjet, siç kanë bërë shumë parti të ekstremit të djathtë që gëzojnë një ringjallje në gjithë Evropën. Pasi ka bërë thirrje për një kohë të gjatë për t’i dhënë fund sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, ajo mbështet hapat e presidentit të SHBA Donald Trump ndaj Moskës lidhur me Ukrainën.
OVP-ja do drejtojë Ministrinë e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ndërsa socialdemokratët do kontrollojnë Financat dhe Drejtësinë, me Neos që drejton Punët e Jashtme.
Edhe pse të tre partitë kanë rënë dakord për një program qeveritar prej 200 faqesh, atyre do t’u duhet të hartojnë shumë politika të tjera ndërsa ecin përpara.
“A do të jetë e lehtë? Jo. A kanë mbaruar negociatat? Jo,” tha të dielën udhëheqësja e Neos, Beate Meinl-Reisinger, duke u zotuar për “pesë vjet negociata të vështira” me palët e tjera.
FPO ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe do bëjë presion gjatë gjithë kohës.
“E vetmja gjë që bashkon këtë koalicion humbës dhe semaforësh është etja për pushtet,” tha FPO të hënën në X, në një referencë ndaj një koalicioni të ngjashëm trepalësh në Gjermaninë fqinje që u shemb në fund të vitit të kaluar.