Vendosni fjalën kyçe....

Alket Hyseni: Erion Veliaj mund të hetohej në gjendje të lirë. Masa ekstreme për një personalitet publik


Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, ka shprehur keqardhje për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar si një masë ekstreme ndaj një personaliteti të jetës publike që ka fituar besimin e qytetarëve për të drejtuar kryeqytetin.

Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News 24, Hyseni deklaroi: “Nuk prezumoj se mund të flas me kompetencë të plotë, por me atë që është bërë publike, ndjej keqardhje që arrihet në një masë ekstreme për një personalitet të jetës publike dhe aq më tepër një person që ka marrë vullnetin e qytetarëve të Tiranës për të qenë nikoqir i këtij qyteti të madh.”

Duke folur për procesin gjyqësor në Shqipëri, Hyseni theksoi se gjyqet po zhvillohen gjithnjë e më shumë në publik dhe se dënimet po jepen që në momentin e ngritjes së akuzave.

Organet e akuzës shpesh herë bëhen pjesë e lojës politike, e këtij kontaminimi të jetës shoqërore. Marrin protagonizëm të pavend dhe ndërhynë në rastin konkret brutalisht në fushatën elektorale me këtë veprim,” tha ai.

Duke folur për Veliajn, Hyseni e përshkroi atë si një personalitet të rëndësishëm të PS dhe një shembull të punës dhe transformimit të kryeqytetit.

Nuk e kam mik të ngushtë, por ai është personalitet i rëndësishëm i PS. Është shembull i punës, i transformimit të kryeqytetit, që nuk meriton asnjë shans të tillë. Çdo akuzë ndaj tij duhet të trajtohet si një qytetar normal, ashtu siç aktet ndërkombëtare dhe aktet shqiptare që Shqipëria i ka përafruar me aktet e OKB, trajtim me dinjitet,” shtoi Hyseni.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mënyrën se si po vepron SPAK, duke argumentuar se ndoshta zelli dhe konkurrimi i madh brenda këtij institucioni po çojnë drejt vendimeve të gabuara.

SPAK, i suportuar me të gjithë energjitë, ka filluar të punojë, por ndoshta zelli i madh, konkurrimi i madh brenda radhëve të veta, po i çon drejt vendimeve të gabuara. Vendime të gabuara që kanë të bëjnë me disa parime që nuk janë të sotme,” theksoi ai.

Hyseni theksoi gjithashtu se masa e arrestit duhet të jetë alternativa e fundit ekstreme dhe se çështje të tilla mund të hetohen në gjendje të lirë.

Nuk është me vend fare kur një çështje ndaj një qytetari mund të hetohet në gjendje të lirë. Kërkesat të bëra për masa arresti janë tre herë më të larta se vendet e Europës. Sot në sistemin tonë, 6 në 10 veta që janë në burgje, janë të padënuar. Masa e arrestit, është masa e fundit ekstreme. Të njëjtën gjë mendoj edhe për Metën edhe Berishën,” përfundoi ai.