
Partia Republikane zhvilloi në Tiranë ceremoninë e 34 vjetorit të krijimit të saj.
Në ceremoninë morën pjesë themeluesit e saj Maksim Begeja, Genc Celo, Anila Godo etj, aleatët politikë dhe të rinjtë e kesaj partie.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij vuri në dukje arritjet dhe sfidat për të nesërmën, bashkë me aleatin kryesor, Partinë Demokratike.
“Ne bëmë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Këtu në Tiranë, në krah të kryeministrit Berisha, presidenti George Ë Bush ka vlerësuar dy gjëra të rëndësishme që duhet patjetër t’i shikojmë ashtu siç ishin dhe ashtu siç duhet të jenë. E para, deklaroi Shqipëria, në NATO, e dyta, Kosova e Pavarur. Këto janë momente historike, të cilat, padyshim, duhet të na bëjnë të ndihemi krenarë, por dhe duhet të na bëjnë të mendojmë thellë, sa larg jemi asaj që duam, asaj që ndërtuam dhe asaj që duhet jetë për Shqipërinë.”- tha Mediu.
Mediu vuri theksin te besimi në Zot, prona private dhe ruajtja e vlerave të familjes si tre pika orientimi të cilat janë goditur nga qeverisja aktuale gjatë dekadës së fundit, por që republikanët i konsiderojnë si forcën e vërtetë që do të ndihmojë shoqërinë shqiptare për t’u ringritur.
“Prindërit nuk janë numra dhe nuk mund të bëhen të tillë. Janë prej mishi dhe prej gjaku, janë jeta dhe shpirti ynë. Është e papranueshme që të pranojmë shkatërrimin e familjes duke i shndërruar ata në numra: prindi 1, prindi 2, prindi 3. Kjo s’ka të bëjë me shqiptarët, kjo s’ka të bëjë me ne. Prandaj, ne duhet të ruajmë fort vlerat tona familjare dhe respektin për prindërit tanë. Besimi në Zot dhe familje formësuon kombin shqiptar dhe kam bindjen se janë forca për ta ringritur përsëri atë.”- u shpreh Mediu.
Në ceremoni mbajti një fjalë edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili e përkufizoi bashkëpunimin 34 vjeçar mes republikanëve dhe demokratëve si një histori të përpjekjeve të mëdha për liri, duke bërë së bashku të pamundurën të mundur.

“Shqipëria, pre e të gjitha ambicieve të perandorive dhe të fqinjëve, u anëtarësua në NATO, në aleancën më të fuqishme ushtarake dhe politike të kohërave. E kam thënë dhe e them: Fatmir Mediu ka qenë një promotor jashtëzakonisht i rëndësishëm në atë proces që shumë-shumë të tjerë e konsideronin të pamundur, të pabesueshëm, për të mos thënë të tjerë që e prisnin me protesta me portretet e Enver Hoxhës, një akt madhor në historinë e kombit tonë.”- tha zoti Berisha.
Berisha shtoi se PD, PR dhe opozita do duhet të përballen me sfida të rëndësishme si diktatura e mafias që sipas ti po qeveris vendin.
“Të dy partive tona, u takoi ajo që rrallë ndonjëherë në histori dhe unë nuk di ndonjë rast tjetër, të përballen me një diktaturë të dytë, tashmë jo të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por të bazuar në kodet e mafias, të bazuar në kodet e narko- shtetit. Nuk ka gjë në botë që do të pengojë opozitën fitoren e saj. vendosmërinë e saj të hekurt për të rivendosur ligjin, shtetin ligjor, të drejtat e qytetarëve shqiptarë, integrimin bashkimin në Bashkimin Europian.”- u shpreh Berisha.


