Vendosni fjalën kyçe....

Trump “shpëton” kryebashkiakun demokrat të Nju Jorkut Adams, kërkon pushimin e çështjes penale


Departamenti i Drejtësisë urdhëroi të hënën prokurorët federalë të heqin akuzat për korrupsion kundër kryebashkiakut demokrat të Nju Jorkut Eric Adams, një ndërhyrje e pazakontë në një çështje penale në vijim.

Urdhri për prokurorët e Manhattanit, që ngritën akuzat vitin e shkuar, u dërgua përmes një letre nga zyrtari numër 2 i departamentit, Emil Bove III.

Bove e justifikoi kërkesën për heqjen e akuzave duke thënë se aktakuza e kryebashkiakut kishte kufizuar aftësinë e Adams për të bashkëpunuar në goditjen kundër emigracionit të ndërmarrë nga presidenti Trump. Ai sugjeroi gjithashtu se aktakuza, e cila u dorëzua në shtator, kërcënonte të ndërhynte në zgjedhjet paraprake për kryebashkiakun e ri të Nju Jorkut në qershor 2025.

Bove tha se Departamenti i Drejtësisë e kishte marrë vendimin e tij pa vlerësuar provat kundër Adams apo teoritë ligjore që mbështesin çështjen. Në vend të kësaj, letra e tij kritikoi prokurorin amerikan që i ngriti akuzat dhe ish-presidentin demokrat Biden. Ai ofroi argumente për heqjen e akuzave për konspiracion, mashtrim, kërkim të kontributeve të huaja të paligjshme nga shtetas të huaj dhe ryshfet, duke pohuar urgjencën e objektivave të emigracionit të presidentit Trump.

Tani është në dorën e ushtrueses së detyrës së zyrës së prokurorit të SHBA-së në Manhattan, Danielle R. Sassoon, nëse do t’i kushtojë vëmendje urdhrit të Bove për të hedhur poshtë akuzat “sa më shpejt të jetë e mundur” duke paraqitur një mocion te gjyqtari. Një zëdhënës i zyrës së zonjës Sassoon nuk pranoi të komentonte.

Letra konsiderohet nga demokratët një ndërhyrje e jashtëzakonshme te një prokuror publik i profilit të lartë, duke vënë në dyshim pavarësinë e prokurorëve federalë, tashmë që Adams është afruar me Trump. Bove urdhëroi që akuzat kundër Adams të hiqeshin, duke sugjeruar se çështja mund të ringjallej nëse do shihet e arsyeshme.

“Departamenti i Drejtësisë po merr vendime që nuk bazohen në fakte apo ligj,” tha Carrie H. Cohen, një ish-prokurore federale në Manhattan.

“Memoja thotë në mënyrë të qartë se kjo nuk ka të bëjë me faktet apo ligjin, por ka të bëjë tërësisht me konsiderata të tjera.”

Ndërsa lajmet u përhapën në media lidhur me rastin e tij, kryebashkiaku Adams, një demokrat, po darkonte me John Catsimatidis, një miliarder republikan me lidhje të forta me presidentin Trump, në Gallaghers Steakhouse. Adams nuk kishte asnjë koment thelbësor, por avokati i tij, Alex Spiro dha një deklaratë.

“Siç e thashë që në fillim, kryetari i bashkisë është i pafajshëm dhe ai do ia dalë”, tha Spiro.

“Sot Departamenti i Drejtësisë e ka rivlerësuar këtë rast dhe ka vendosur që çështja ndaj Adams nuk duhet të ecë më tej.”

Alex Spiro, në të majtë, avokati i zotit Adams, tha se kryebashkiaku dhe qyteti mund të “ta lënë pas vetes këtë ndjekje të pafat dhe të gabuar”.

Spiro shtoi: “Tani, fatmirësisht, kryebashkiaku dhe Nju Jorku mund ta hedhin pas krahëve këtë përndjekje të gabuar”.

Përgjigja e kundërshtarëve të Adams në garën për kryebashkiak sugjeroi se Nju Jorku nuk kishte gjasa ta bënte këtë.

“Kjo duhet të zemërojë çdo njujorkez,” tha senatori i shtetit Zellnor Myrie. Senatorja Jessica Ramos, tha: “Eric Adams shiti njujorkezët për të blerë lirinë e tij”.

Kurse Zohran Mamdani, tha: “Eric Adams e ka ngushtuar fokusin e qeverisë së qytetit në një qëllim të vetëm: mbajtjen e tij jashtë burgut”.

Kritikët e Adams e kanë akuzuar atë se është afruar me presidentin Trump me shpresën për të marrë një falje prej tij ose për të hedhur poshtë akuzat e tij. Dhe ata kanë thënë se ai mund të pajtohet për një bashkëpunim më të madh të emigrantëve si pjesë e një bashkëpunimi të dobishme të ndërsjellë me presidentin republikan.

Bove, i cili përfaqësoi Presidentin Trump në tre nga çështjet e tij penale, tha se nuk duhet të ketë “asnjë shënjestrim të mëtejshëm të kryebashkiakut Adams ose hapa shtesë hetimore” deri pas zgjedhjeve, kur çështja do rishqyrtohej.

Hetimi i zyrës ndaj kryebashkiakut filloi në mesin e vitit 2021 dhe sjellja e përshkruar në aktakuzë arrin deri në mandatin e Adams si kreu i bashkisë së Bruklinit.

Prokurorët e akuzuan atë se kishte pranuar më shumë se 100,000 dollarë për të udhëtuar në linja ajrore luksozë; presion ndaj Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut për të përshpejtuar miratimin e një konsullate të re turke; dhe marrjen e kontributeve të huaja nga të huajt e pasur të cilët nuk lejoheshin ligjërisht të dhuronin për fushatën e tij. Kryebashkiaku u deklarua i pafajshëm, por vetëm disa javë më parë, prokurorët thanë se kishin zbuluar “sjellje kriminale shtesë” nga Adams.

Megjithatë Bove nuk pranoi kohëzgjatjen e hetimeve apo seriozitetin e akuzave. Në vend të kësaj, ai tha se koha e akuzave “dhe veprimet më të fundit publike” të prokurorit amerikan që ngriti çështjen, Damian Williams, kishte kërcënuar integritetin e tij, duke krijuar “shfaqje të pahijshme”.

Bove duket se i referohej një faqe interneti të krijuar nga Williams dhe një shkrim  që ai shkroi muajin e kaluar, në të cilin ai tha se qyteti “po udhëhiqej me një busull etike të thyer”.

Avokatët e Adams i kishin argumentuar gjykatësit në këtë çështje se shkrimi i Williams, i cili nuk përmendte emrin e Adams, do paragjykonte grupin e jurisë dhe ishte dëshmi se Williams kishte vepruar për të rritur karrierën e tij. Ëilliams nuk kishte asnjë koment të hënën në mbrëmje për letrën e Bove.

Bove tha se heqja e lejes së sigurisë së Adams, si rezultat i aktakuzës, kishte penguar konsultimet me zyrtarët e administratës Trump për zbatimin e emigracionit në qytetin më të madh të vendit. Ai udhëzoi zyrën e prokurorit të SHBA-së në Manhatan që të bënte gjithçka mundej për ta rikthyer atë. Trump ka autoritetin të rivendosë vetë lejen.

Adams u takua me Trump pranë pronës së tij në Mar-a-Lago muajin e kaluar në një shfaqje të pazakontë të shtrirjes politike dhe ndoshta personale. Ditë më vonë, ai mori pjesë në betimin e z. Trump në Uashington. Adams ka thënë se nuk do e kritikonte publikisht presidentin Trump, edhe pse shumë demokratë të tjerë kanë sulmuar axhendën e presidentit dhe thirrjet e tij për dëbime masive.

Kryebashkiaku Adams u takua me Presidentin Trump muajin e kaluar pranë Mar-a-Lago në West Palm Beach, Florida.

Nga ana e tij, Trump tha se do e konsideronte faljen e Adams dhe e karakterizoi kryebashkiakun si viktimë të politikës. Presidenti po ashtu pretendoi, pa dhënë prova, se ai vetë ishte i përndjekur politik nga prokurorët federalë dhe të shtetit, të cilët ngritën katër aktakuza kundër tij.

Letra e Bove nuk cakton një afat deri në të cilin prokurorët duhet të paraqesin një mocion në gjykatë për të kërkuar rrëzimin e akuzave kundër Adams.

Nëse prokurorët në Manhatan ecin përpara me një mocion për të hequr dorë nga çështja, gjyqtari që e mbikëqyr atë, Dale E. Ho i Gjykatës së Qarkut të SHBA në Manhattan, mund të vërë në dyshim vendimin. Por sipas precedentit ligjor, ai ka fuqi të kufizuar për të rrëzuar kërkesën.

Ashtu si rastet penale kundër presidentit Trump, ndjekja penale e Adams ka tërhequr vëmendjen e medias. Por Bove përmendi mbulmin mediatik si një arsye tjetër për të mos ecur përpara me çështjen, duke thënë se “rritja e publicitetit paragjykues paragjyqësor” rrezikonte të kontaminonte grupin e jurisë dhe të prekte dëshmitarët.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani