Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon keqpërdorimin e të dhënave personale nga ministrat socialistë për qëllime elektorale


Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dorëzuar një shkresë zyrtare drejtuar z. Bersnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dhe një letër për ambasadorët në Shqipëri, lidhur me përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve nga ministrat e qeverisë socialiste për qëllime elektorale.

Në letrën e saj, Tabaku thekson një rast të datës 11 janar 2025, kur Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, publikuan një video në rrjetet sociale.

Në këtë video, ata shfaqeshin duke mbledhur karta identiteti të votuesve nga diaspora, me arsyetimin për t’i regjistruar në procesin zgjedhor.

Tabaku deklaron se ky veprim është një shkelje serioze e legjislacionit shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale dhe standardeve ndërkombëtare si GDPR. Ajo citon Ligjin Nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, që përcakton se të dhënat personale duhet të përpunohen në përputhje me parimet e ligjshmërisë, ndershmërisë dhe transparencës, duke kërkuar pëlqimin e qartë të individëve.

“Përdorimi i të dhënave personale në një kontekst zgjedhor është një shkelje flagrante që minon besimin në institucione dhe cenon të drejtat themelore të qytetarëve,” shprehet Tabaku.

Deputetja e PD i kujton partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Komisioneren për Zgjerim, znj. Marta Kos, precedentët e mëparshëm të mazhorancës socialiste.

Ajo rikujton se në vitin 2021, Shqipëria përjetoi një rrjedhje masive të të dhënave personale, ku mbi 200 mijë qytetarë u prekën nga publikimi i të dhënave të tyre të ndjeshme, përfshirë numrat e identitetit dhe preferencat politike.

“Ngjarje të tilla tregojnë mungesën e respektit për standardet demokratike dhe privatësinë e qytetarëve. Ne i bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë të ndërmarrin hetime të plota për këtë çështje dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi,” përfundon Tabaku.

Partia Demokratike kërkon gjithashtu masa parandaluese për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen dhe garantimin e standardeve më të larta për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.