Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar nëpërmjet një deklarate lidhur me publikimet e fundit mediatike për ndërprejen e fondeve nga BE ndaj buqjësisë së vendit tonë në programin IPARD.
Në deklaratë thuhet se Programi i mbështetjes nuk eshte ndërprerë dhe se puna vazhdon.
Më tej sqarohet se autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni të një pezullimi të faturës aktuale të rimbursimit nga DG AGRI për një pjesë të shpenzimeve te radhës dhe se ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE.
Deklarata:
Nisur nga disa publikime mediatike sqarojmë publikun, por sidomos fermerët dhe agropërpunuesit në lidhje me procesin e mbështetjes nga programi IPARD:
Programi i mbështetjes nuk eshte ndërprerë. Puna vazhdon, programi vazhdon.
Autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni të një pezullimi të faturës aktuale të rimbursimit nga DG AGRI për një pjesë të shpenzimeve te radhës. Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Keto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara.
Të gjithë strukturat shqiptare janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë, sikurse kanë vepruar nga dita e parë e akreditimit, të të gjithë proceseve kontrolluese, hetuese dhe administrative të ndjekura deri më sot apo që mund të aktivizohen në të ardhmen.
Procesi i akreditimit të programit IPARD ka nisur prej më shumë se 10 vjetësh dhe zbatimi ka mundur te nis vetëm në fund të vitit 2018 pas akreditimit te strukturave operuese në perputhje me Marrëveshjen Kuadër, Sektoriale dhe Financiare te ratifikuar në Parlamentin shqiptar. Prej vitit 2018 programi ka sjelle një transformim rrënjësor të proceseve prodhuese e përpunuese në vendin tonë si dhe në rritjen e ekspertizës teknike të stafit vendas.
Si çdo mekanizem financiar, programi shqyrton, kontrollon dhe zbaton projekte në perputhje me rregulla të mirëpërcaktuara e të miratuara nga Bashkimi Europian të cilat kontrollohen dhe auditohen vazhdimisht nga struktura të brendshme e të jashtme. Nëse vërehen shkelje, programi përcakton strukturat operuese që marrin masa dhe veprohet në përputhje me procedurat ligjore të parashikuara ashtu sikurse veprohet në cdo strukturë të ngjashme në vendet e Bashkimit Europian.
Kjo është një punë e përditshme ku të gjithë institucionet e akredituara punojnë bashkarisht nq respekt të rregullave të BE-së për të përmirësuar hallka të ndryshme administrative të funksionimit në shërbim të suksesit të programit duke u përballur me sfidat e implementimit në sektorin bujqësor, ndaj është e rëndësishme që një program për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë rurale të mos bëhet objekt i konsumit politik.
Programi IPARD është një gur themeli për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, rezultatet e të cilit i ka ndjerë zhvillimi i sektorit që reflektohet sot në indikatorë të rëndësishëm performance pozitive. Ky rezultat ka ardhur si pasojë e punës së jashtëzakonshme të përbashkët me fermerë e agropërpunues si edhe të punonjësve të strukturave në Shqipëri dhe në Bruksel.
Vetëm në këtë mënyrë kemi garantuar rezultate të prekshme duke mundësuar 85 pika grumbullimi, mbi 40 fabrika përpunimi agro ushqimore, mbi 130 investime në mekanikë bujqësore dhe shtim sipërfaqesh të mbjella, mbi 50 investime në subjekte agroturistike, mbi 30 investime në stalla e ferma blegtorale, mbi 40 investime në kantina dhe vreshta, mbi 85 investime në sera, investime në energji të rinovueshme etj, me impaktin direkt të krijimit të mbi 5000 vende të reja pune.
Jemi krenarë për punën e bërë, programi vazhdon dhe të gjithë strukturat e akredituara ne zbatim te tij janë në partneritet të plotë me partnerët europianë për të mundësuar mbarëvajtje të suksesshme në të mirë të vendit.