Vendosni fjalën kyçe....

Komiteti shqiptar i Helsinkit: Shkrirja e Gjykatave të Apelit do vështirësojë jetën e qytetarëve


 Nga 2 shkurti do të nisë shkrirja e gjykatave të Apelit, ndërsa për Gjykatat e Shkallës së Parë do të nisë më 1 maj, por kjo gjë pritet të vështirësojë aksesin e qytetarëve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë gjykatë për problemet e tyre, kjo për shkak se do të mbetet vetëm 1 gjykatë Apeli në Tiranë.

 Për këtë çështje, ka folur edhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Erinda Skëndaj në emisionin ‘Studio Live’ e Report Tv për hartën e re gjyqësore që do të nisë implementimin nga ky vit.

Ndërkohë, ajo thekson se shkrirja e gjykatave do të kthehet në një kosto të shtuar për qytetarët, pasi shpenzimet e tyre për të ndjekur një çështje gjyqësore do të rriten.

 “Deri diku mund t’iu shërbejë, por mbetet për t’u parë sesi do jetë zbatimi i hartës pasi numri i dosjeve është i konsiderueshëm. Shqetësimi ynë është shkrirja e gjykatave në nivel apeli. Në parim nuk jemi kundër shkrirjes së gjykatave, veçanërisht gjykata që janë të vogla, që kanë numër të konsiderueshëm çështjes. Në këtë kontekst është mirë që të ketë gjykata që janë në afërsi territoriale më gjykata që shkrihen, shqetësimet tona kryesore kanë të bëjnë më shkrirjen e gjykatave të apelit, do kemi vetëm 1. Shqetësimi ynë ka të bëjë me aksesin në drejtësi, veçanërisht të grupeve në nevojë. Që janë në pamundësi ekonomike për të paguar kostot e konsiderueshme që do iu imponohen si rezultat i shkrirjeve të gjykatave. Aksesi i qytetarëve në drejtësi do vështirësohet si rezultat i distancave të konsiderueshme gjeografike”, tha Skendaj.

Skëndaj thotë se si zgjidhje duhej të ishte para plotësimi i vakancave që u krijua për shkak të vettingut dhe mos të merrej direkt vendimi për shkrirjen e pesë apeleve, pasi e gjithë ngarkesa do t’i kalojë Apelit të Tiranës, ku pritet të shqyrtohen rreth 30 mijë dosje.

KLGj nuk e pranon se kjo hartë është shkak i vakancave të krijuara nga vettingu. Në vlerësimin tim emergjenca më e madhe në sistemin e drejtësisë duhej të ishte gjetja e zgjidhjeve efektive sesi këto vakanca të plotësoheshin. Gjykata e lartë, e Apelit, administrative dhe e Tiranës kanë një numër të lartë të dosjeve. Në Apel do jenë rreth 30 mijë doje që do duhen të shqyrtohen nga një trupë prej 78 gjyqtarësh”, tha Skëndaj.

Por për avokatin Alban Duraj harta e re gjyqësore ishte një domosdoshmëri, pasi sipas tij disa gjykata kishim dalë jashtë funksioni pasi shqyrtonin një numër shumë të vogël çështjes, por ishin kosto për buxhetin e shtetit.

Kjo është jo një justifikim lidhur me ngërçin, shqyrtimin e dosjeve për shkak të vakancave, por kjo është një vazhdueshmëri e reformës në drejtësi. Kjo është një domosdoshmëri, kemi pas gjykatat që nuk funksionin, kemi pasur kosto shtesë në buxhetin e shtetit dhe KLGJ. Do bëjmë të mundur që stafi pranë këtyre gjykatave dhe prokurorive do plotësojnë gjykata që kanë numër më të lartë kostosh”, u shpreh Duraj.

Qeveria shqiptare ka miratuar hartën e re gjyqësore e cila shkrin 18 gjykata në rang vendi dhe pritet të nis implementimin duke filluar nga 1 shkurti. Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar. Ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.