Vendosni fjalën kyçe....

Peruja i jep ambasadorit meksikan 72 orë për t’u larguar


Peruja ka urdhëruar ambasadorin meksikan të largohet brenda 72 orëve pasi Meksika i dha azil familjes së presidentit të rrëzuar peruan, Pedro Castillo.

Castillo u hoq nga detyra në fillim të këtij muaji pasi u përpoq të shpërndante Kongresin. Ai po hetohet në Peru me akuzat për rebelim dhe komplot.

Por Meksika e ka mbështetur presidentin e rrëzuar dhe tha se po konsideronte t’i jepte atij azil.

Siç shkruan BBC, presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador e ka quajtur jodemokratike shkarkimin e Castillos.

Ministri i Jashtëm meksikan Marcelo Ebrard tha të martën se qeveria po negocionte një kalim të sigurt për familjen e Castillos, të cilët ishin brenda ambasadës së Meksikës në kryeqytetin peruan, Lima.

Homologia e tij peruane, Ana Cecilia Gervasi, tha se ishte lejuar kalimi i sigurt.

Por vendimi i Meksikës për të dhënë azil shkaktoi zemërim të mëtejshëm në Peru, dhe ambasadori meksikan Pablo Monroy tani është shpallur “person non grata” nga qeveria.

Ministria e Jashtme e Perusë tha në llogaritë e saj në mediat sociale se po e dëbonte ambasadorin Monroy për “për shkak të deklaratave të përsëritura nga autoritetet më të larta të atij vendi për situatën politike në Peru”.

Ligjvënësi peruan i opozitës Maria del Carmen Alva akuzoi Meksikën se po “strehon të korruptuarit“. Castillo, i cili është në paraburgim në Peru, iu hoq mandati pasi u përpoq të shpërndante Kongresin e kontrolluar nga opozita. Por Kongresi e sfidoi atë, votoi me shumicë dërrmuese për ta hequr atë nga detyra dhe truprojat e ndaluan atë të kërkonte strehim në ambasadën meksikane në Lima.

Vetëm disa orë më vonë, Kongresi emëroi nënkryetaren e tij, 60-vjeçaren Dina Boluarte, si presidentja e re.

Ajo ka bërë presion për zgjedhje të parakohshme dhe ato u afruan më shumë të martën pasi ligjvënësit votuan në favor të propozimeve.