Vendosni fjalën kyçe....

Berisha sulmon Veliajn: Ka shumëfishuar taksat dhe ka shpikur taksën e arsimit


Në takimin e sotëm me fituesit e Primareve, kryetari i PD-së Sali Berisha ka ngritur akuza kunër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.

Sipas tij, Veliaj ka katërfishuar taksën e mbetjeve për biznesin e vogël si dhe shpikur taksën e arsimit, kur arsimi duhet të jetë falas.

“Unë mund të rikujtoj këtu, vetëm kryetarin e betonit të Tiranës. Për sipërmarrjen e tij private që ka me Edi Ramën, Arben Ahmetajn dhe Engjëll Agaçin, ai ka katërfishuar taksën e mbetjeve për biznesin e vogël. Ka dyfishuar taksën e çdo qytetari. Ka shpikur taksën e arsimit, në një kohë kur jo e majta, por edhe e djathta, e ka në gen detyrimin për arsimin falas.

Shteti e ka detyrë të shkollojë fëmijët e qytetarëve. Kurse sipas këtij hajduti, shkollat duhet t’i ndërtojnë qytetarët. Me taksa ekstra. Taksë vetëm për arsimin, të cilat i vjedh dhe i shpërdoron në mënyrën më të tmerrshme. Ndërton një shkollë me kosto absolutisht nga 6 deri në 8 herë më të lartë sesa kostoja me të cilën ndërton shkolla PNUD-i i OKB-së në Tiranë, me paratë e donatorëve. Bashkitë po presin me padurim çlirimin nga kjo farë hajdutësh që nuk i ka parë toka.

Ai që sot është në krye të bashkisë së Tiranës, nuk po flas për Durrësin se aty është një figurinë, kurse ligjin e bën nëntoka, nuk po flas për Elbasanin, se atë shkojnë dhe e rrahin në zyrë. Por po ndalem te Tirana se atje janë cilin të qash më parë. Ka një kontratë për mbetjet, sipas të cilës kompanisë vetë, për çdo ton mbetjesh, duhet t’i paguajë taksapaguesi i Tiranës 11 euro për depozitim dhe 28 euro për djegie. Ka 5 vite që nuk është djegur një kg pleh, por secili kg i tyre i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë, 28 euro. Po kaq edhe taksapaguesve të Durrësit, se janë aksionerë.”- tha Berisha.

Ndërkohë ai sulmoi Partinë Socialiste, ku tha se kandidatët për postet drejtuese në këtë forcë politike zgjidhen nga krimi dhe jo nga qytetarët.

Sipas Berishës, të gjithë socialistët e ndershëm ndihen tashmë më afër me kandidatët e PD-së, se sa me kandidatët e PS-së të përcaktuar në “shpellat e krimit dhe drogës në PS”.

“Nëse hidhet sytë në krahun tjetër, që mediat po e quajnë rëndom shpella, aty gëlon ryshfeti, gëlon peng marrja, aty përcaktojnë droga, krimi dhe bandat.

Anëtarësia e PS nuk ka asnjë thënie, asnjë zë te qeveritarët e saj. Ata nuk përfaqësojnë më anëtarësinë, ata përfaqësojnë vetëm sektin e rilindjes, që është një sekt fund e krye antishqiptar. Një sekt, një përzierje e klaneve të drogës, klaneve të krimit, e aferave të mëdha korruptive kombëtare dhe ndërkombëtare.

E vërteta është se sot çdo shqiptar i pa parti, por edhe çdo socialist i ndershëm, si ai që thotë se nuk u besova veshëve që është hequr vota për zgjedhjet e kryetarëve të degëve. Çdo socialist që e konsideron dinjitetin, dinjitet, përfaqësimin, përfaqësim është shumë herë më afër jush. Shumë herë më afër secilit prej jush, sesa me kandidatët e socialistëve.”- tha Berisha.