Qeveria ka firmosur sot Memorandumin e bashkëpunimit me organizatën globale mjedisore “Patagonia”, për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se duke shpallur Vjosën Park Kombëtar impakti ekonomik do të jetë shumë më i lartë.
Më pas ai theksoi se për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, qeveria ka marrë ekspertizë të huaj dhe theksoi se kjo ndalon çdo aktivitet ekonomik që mund të cënojë lumin.
“Për shkak se ky është një park kompleks, kemi marrë një ekspertizë ndërkombëtare, përveç asaj të brendshme në mënyrë të tillë që standardet të jenë ndërkombëtare. Të jemi të qartë se kur flasim për park kombëtar, marrim përsipër ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të cënojë trupin e lumit dhe krahët e tij. Duke shpallur Vjosën Park Kombëtar do të kemi përfitime ekonomike.”– tha Rama.
Nga ana e Ramës nuk kanë munguar as batutat dhe ironitë për aktorin e Hollivudit Leonardo di Caprio, i cili ka qenë mbështetës që Vjosa të shpallej Park Kombëtar.
“Më kanë shënuar këtu për diçka për Leonardo di Caprio, por nuk po e them. Leondardo di Caprio u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por nuk u bë i gjallë për ta mbështetur qeverinë. E ka shok të mirë ministrja e Turizmit ndaj nuk po i bie më shumë, Mbase goditja do t’i bie në vesh.”-tha Rama.
Më pas ai shtoi një tjetër batutë për Nard Ndokën: “Aty ku miliona njerëz të lavdërojnë miliona dhe të shan njëri ka të ngjarë që të zgjohet dhe Nardi.”
E pranishme në ceremoni ishte edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila iu bashkua panelit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes.