Denis Matoshi ose i njohur ndryshe si Eldi Dizdari, i cili është arrestuar në Dubai si pjesë e organizatës kriminale të trafikut të kokainës, nuk do të ekstradohet në Itali.
Gazeta belge “De Standaard” shkruan se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë lejuar as ekstradimin e Matoshit e as të kriminelit të famshëm të Camorra-s, Rafaele Imperiale.
“Emiratet refuzuan gjithashtu të ekstradojnë bosët e mëdhenj të drogës si bosi i Camorra-s, Rafaele Imperiale dhe mbreti i mafias shqiptare Denis Matoshi në Itali.
Belgjika tani shpreson që një numër i kontrabandistëve të dënuar të drogës të ekstradohen nga Dubai. Nëse Bouzambou ekstradohet, kontrabandistët e tjerë të dënuar të drogës e dinë menjëherë se nuk mund të llogarisin më në mbrojtjen e regjimit në Emiratet.”- shkruan gazeta belge.
Pikënisje për këtë lajm të mediave belge është bërë arrestimi në Emiratet e Bashkuara Arabe i të shumëkërkuarit nga Belgjika për trafik kokaine, Farhan Bouzambou.
Mediat ngrenë pikëpyetje lidhur me ekstradimin e tij në të ardhmen duke sjellë për analogji rastin e shqiptarit dhe italianit, të cilët nuk janë ekstraduar nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Farhan Bouzambou është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me kërkesë të Belgjikës, e cila tani do të kërkojë ekstradimin e tij.
Në fund të vitit të kaluar, Bouzambou u dënua me njëmbëdhjetë vjet burg.