Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i PD-së në Durrës, Luan Hoti: Më 6 mars bashkia do kthehet në shërbim të gjithë durrsakëve


Kandidati për kreun e Bashkisë së Durrësit Luan Hoti u prezantua ditën e djeshme zyrtarisht para strukturave të Partisë Demokratike në Durrës.

Nënkryetarja e PD-së Grida Duma gjatë fjalës së saj u ndal në vlerat që përfaqëson kandidatura e Hotit sipas saj, si personi i duhur për t’u zgjedhur në krye të bashkisë Durrës pas një qeverisjeje prej më shumë se 2 dekadash të PS-së.

Vetë Hoti, jurist në profesion, por që mban aktualisht edhe postin e kreut të komanduar të degës lokale u shpreh se ndihej i privilegjuar nga besimi që i kanë ofruar të gjitha strukturat.

Gjatë fjalës së tij, Hoti premtoi se më 6 mars bashkia do t’u rikthehet qytetarëve.

“Ndihem i privilegjuar që më besuat unanimisht këtë detyrë kaq të respektuar, për të drejtuar bashkinë e qytetit tonë. Kam besimin e plotë që duke e njohur mirë që nga baza deri tek kjo kryesi të gjithë familjen tonë politike të Partisë Demokratike, të gjithë së bashku më 6 Mars do të jemi fitues të kësaj bashkie.

Fillojmë fushatën tonë për ta kthyer bashkinë në shërbim të këtij qyteti kaq të bukur turistik, nga më të mirët në rajon, pasi gjendja e këtij qyteti tashmë dihet.”– tha Hoti.

Prezantimi i tij u bë nga dy nënkryetarët Grida Duma dhe Agron Gjekmarkaj, si dhe deputetë të qarkut Durrës.

Për nënkryetarin Agron Gjekmarkaj, përzgjedhja e Hotit për garën e 6 marsit, është përzgjedhja më e mirë, sepse sipas tij vetëm kështu Durrësi do të shpëtojë nga “kthetrat e mafias së betonit”, për t’u kthyer në një bashki të qytetarëve dhe për qytetarët.

Hoti u miratua si kandidat për bashkinë Durrës nga kryesia e PD-së, pas propozimit të tij unanimisht nga strukturat e kësaj dege.

Më 6 Mars, Luan Hoti garon përballë kandidates së PS-së, Emirjana Sako, aktualisht kryebashkiake e komanduar e Durrësit dhe kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Ardian Muka.