Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare artistja e njohur Edi Luarasi


Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare aktorja e njohur Edi Luarasi.

Lajmi është dhënë nga shkrimtarja Elvira Dones e miq të tjerë të saj në rrjetet sociale.

Edi Luarasi lindi në Tiranë në vitin 1940. Debutimin në skenë e bëri në vitin 1956, në moshën 16-vjeçare. Ajo është diplomuar për aktore në 1963 dhe më pas u emërua si aktore në Teatrin Popullor.

Në karrierën e saj të gjatë Luarasi numëron dhjetëra role në teatër e kinematografi ku mund të përmendim Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, “Vitet e para”, “Gjurmët” dhe “Ngadhnjim mbi vdekjen”.

Në vitin 1974 u përjashtua nga Teatri Kombëtar për arsye politike e rikthehet sërish në skenë në vitin 1991 me interpretimin e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”. Interpretoi edhe në 1995 në dramat “Hekurat”, “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Luarasi mban titullin “Artiste e merituar”.