Vendosni fjalën kyçe....

Roterdami në flakë, policia plagos dy persona në protestën kundër masave anti-Covid (FOTO)


Policia holandeze ka qëlluar dhe ka plagosur të paktën dy persona pas trazirave që shpërthyen në Roterdam në protestat kundër masave të reja për Covid-19.

Protestuesit hodhën gurë dhe fishekzjarre ndaj punonjësve të policisë dhe u vunë flakën makinave të tyre.

Siç shkruan BBC, qindra protestues ishin mbledhur për të treguar zemërimin e tyre ndaj planeve të qeverisë për patentën e vaksinimit dhe ndalimin e fishekzjarreve në natën e Vitit të Ri.

Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm tre-javor të Covid javën e kaluar ndërsa rastet u rritën.

Shtatë persona u plagosën gjithsej dhe të paktën 20 u arrestuan në një natë që kryebashkiaku i Roterdamit e quajti “një orgji dhune”.

Policia qëlloi “sepse situata ishte kërcënuese për jetën”, tha një zëdhënës i policisë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Qyteti u vendos në gjendje të jashtëzakonshme dhe stacioni kryesor i trenit u mbyll si rezultat i dhunës.

Videot e postuara në mediat sociale treguan makinat e djegura të policisë dhe protestuesit që i gjuanin me gurë policisë në rrugën kryesore tregtare të qytetit. Policia përdori një top uji për t’i shpërndarë ata.