Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu: Do zgjatet me 3 vite bashkëpunimi turko-shqiptar në Spitalin Memorial të Fierit


Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se është vendosur të zgjatet për tre vite bashkëpunimi turko-shqiptar, në Spitalin Memorial të Fierit.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu u shpreh se në periudhën 3-vjeçare spitali do të administrohet nga të dy palët dhe nga kjo sipas saj do të përfitojnë qytetarët shqiptarë, sepse po krijohet një model i autonomisë spitalore që do të aplikohet edhe në spitalet e tjera.

 “Tashmë spitali memorial në Fier ofron shërbime për të gjithë qytetarët, në 16 shërbime mjekësore. Akti që kemi miratuar sot i hap rrugës një bashkëpunimi 3-vjeçar me stafe të përbashkëta që kanë filluar të funksionojnë si në Fier. Janë më shumë se 75 mjekë, infermierë që përgjatë këtyre muajve janë atashuar pranë këtij spitali, duke ofruar shërbime cilësore për pacientët.

Janë rreth 22 mijë ndërhyrje mjekësore të kryera falas në këtë spital publik, që po menaxhohet në bashkëpunim me një ekip që ka ardhur nga Turqia për të transferuar dijen, teknologjinë dhe për të bërë një shembull të ri se si menaxhohen spitalet publike. Në një periudhë 3-vjeçare do të administrohet nga të dy palët dhe nga kjo përfitojnë qytetarët shqiptarë, sepse po krijohet një model i autonomisë spitalore që do të aplikohet edhe në spitalet e tjera.

Ne kemi miratuar një dokument shumë të rëndësishëm politik që ka të bëjë me agjendën kombëtare për të drejtat e fëmijëve. Kjo ka si funksion të harmonizojë të drejtat e fëmijëve dhe veprimet e përbashkëta me të gjitha strukturat mjekësore. Është dokument politikash që përkthehet në plane konkrete, që synon të mbrojë fëmijët, sidomos ato të grupeve vulnerabël. Do të ndërtohen plane për fëmijët dhe me synimin që kjo agjendë të jetë sa më e prekshme dhe efektive në raport me mirëqenien e fëmijëve tanë.”- tha Manastirliu.