Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama është bërë vasal i Vuçiçit, në vend të nismave evropiane ndërmori nismat e Serbisë së Madhe


Nga e ashtuquajtura “Foltorja e Dibrës” apo takimi i ish-kryeministrit Sali Berisha me qytetarët dibranë, lideri historik demokrat ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.

Ai është shprehur se Rama ka bllokuar integrimin e vendit, duke u kthyer në një vasal të Beogradit. Sipas Berishës, Rama në vend të nismave evropiane, nismës së Berlinit, ndërmori nismat e Serbisë së Madhe duke i mbajtur ison presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

“Ky Kuvend që mbahet dhe ringritja e PD është interes jetik kombëtar. Këto tetë vite ylli ynë polar duhej të ishte integrimi në BE. Nordi ynë duhej të ishte ecja drejt BE-së. E kundërta ka ndodhur. Edi Rama u lidh në një mënyrë prej vasali me Aleksandër Vuçiç dhe në vend të nismave evropiane, nismës së Berlinit, ndërmori nismat e Serbisë së Madhe dhe të Vuçiçit. U angazhua në mënyrë antikombëtare në projektin e ndarjes së Kosovës. U angazhua në aleancë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Armik i betuar i qenies sonë kombëtare, e ka shndërruar Tiranën në megafon të luftës së ftohtë kundër Prishtinës. Dhe të gjitha këto me urdhër të Beogradit.

Ne nuk jemi kurrë që Shqipëria të bëhet vend vasal i serbomadhit Vuçiç, që përfaqëson një Millosheviç në vete. Sa i përket ultranacionalizmit, Vuçiç është po kaq i verbër dhe i egër sa padroni i tij. Ky njeri nuk njeh gjenocidin në Srebrenicës, një njeri që mohon masakrën e Reçakut dhe masakrat e tjera. Që nuk njeh gjenocidin ndaj shqiptarëve. Rama i mban ison dhe refuzon të njohë gjenocidin e luftës”- deklaroi Berisha.