Gjykata Kushtetuese shqiptare nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore.
Ky është përfundimi në të cilin kanë arritur ekspertët e Komisionit të Venecias në projekt opinionin e përgatitur në përgjigje të kërkesës së paraqitur në muajin korrik nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë se më 9 qershor të këtij viti, pas 9 orësh seancë në lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 2019, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë gjykimin për këtë çështje dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion, me pyetjen ishte nëse e ka kompetencën e vlefshmërisë së procesit zgjedhor apo jo.
Zëri i Amerikës ka publikuar sot draft-raportin që Komisioni i Venecias ka përgatirur më 1 tetor, ku theksohet se Kushtetuesja nuk e ka këtë kompetencë.
“Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor.”– thuhet në draft-raport.