Ramiz Kelmendi, biznesmeni nga Kosova, ish-zv.kryeministër dhe ish-deputet i LDK-së dhuron 50 mijë euro për strehimin e afganëve në Kosovë.
“Të nderuar miq amerikanë dhe Qeveri e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Shpreh gatishmërinë time, për mbështetje fillestare financiare në vlerë prej 50 mijë eurosh, për strehimin e qytetarëve afganë që do strehohen në Republikën e Kosovës.
Unë, familja ime dhe qytetarët e vendit tim e kuptojnë mirë çfarë do të thotë ta lëshosh atdheun e nuk e harrojmë asnjëherë kontributin dhe rolin e Qeverisë Amerikane dhe kombit amerikan për rikthimin, riatdhesimin tonë, në Kosovën tonë të dashtur!
Falë këtij kontributi ne sot, i gëzohemi jetës dhe zhvillimit të shtetit tonë!
Zoti e bekoftë Amerikën! Ne jemi të bekuar me ju!”, shkruan Kelmendi në një postim në “Facebook”.
Biznesmeni është i njohur për shqiptarët e Shqipërisë për sfidën publike që i bëri kryebashkiakut Erion Veliaj 2 vite më parë lidhur me ndërtimin e një qendre tregtare.
Kelmendi denoncoi Veliajn si penguesin e ndërtimit të një qendre tregtare në zonën që ishte përcaktuar për t’u ndërtuar Terminali Mutimodal i Pasagjerëve. Shpronësimi i tokës ku kishte menduar të ndërtonte Kelmendi, u bë sipas shpjegimeve që jepte Veliaj për interesin publik.