Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 42 mijë të vdekur nga koronavirusi në të gjithë botën


Më shumë se 42,000 vdekje janë regjistruar në të gjithë botën nga koronavirusi, dhe më shumë se tre të katërtat e vdekjeve kanë ndodhur në Europë. Të paktën sipas të dhënave të bëra punlike nga Universiteti John Hopkins.

Vdekjet nga koronavirusi kanë arritur në total në 42.341 në të gjithë botën, ndërsa numri i rasteve të të infektuarve tani është 859.796.

Sipas Universitetit John Hopkins, 178.300 njerëz janë shëruar deri më tani.

Holanda ka vendosur të zgjasë izolimin së paku deri në 28 prill. Këtë e bëri të ditur kryeministri Mark Rutte. Ai u bëri thirrje holandezëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos planifikojnë pushime. “Edhe pas 28 Prillit ne nuk do të kthehemi në një situatë normale”- tha Rutte gjatë një konference për shtyp.

Francë ka patur një rritje rekord të numrit të viktimave, në 499 brenda 24 orëve të fundit, gjë që rrit totalin në 3.523 vdekje.  Numri i personave të infektuar është 52,128, sipas drejtorit të përgjithshëm të Shëndetësisë në Francë, Jerome Salomon. Nga këto, 22.757 janë shtruar në spital dhe 5,565 janë në njësitë e kujdesit intensiv (558 më shumë në 24 orët e fundit). Ndërsa numri i të shëruarve është rritur në 9.044.

Numri i vdekjeve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara është rritur në 4.076 duke tejkaluar dhe Kinën. Kjo është ajo që del nga të dhënat e fundit që flasin për 189.618 mijë raste të të infektuarve, duke ia kaluar dhe Italisë, Spanjës e Kinës.

Në New York, për herë të parë ka humbur jetën një fëmijë. Lajmi u publikua kur numri i të vdekurve në të gjithë shtetin tejkaloi 1.300. Autoritetet nuk e raportuan moshën e fëmijës, megjithatë ata raportuan se ai kishte patur probleme të tjera shëndetësore. New York-u është epiqendra e infeksioneve të koronavirusit në të gjithë Shtetet e Bashkuara me mbi 40% të të gjitha vdekjeve. Shumica e pacientëve janë nën 50 vjeç.

 

Modelet statistikore të ilustruara në konferencën e Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin parashikojnë se në SHBA do të vdesin rreth 100,000 deri në 240 000  njerëz.

“Por ne nuk i pranojmë këto numra dhe shpresojmë t’i përmbajmë ato nëse të gjithë veprojmë së bashku në përputhje me masat në vend”– tha Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive.

Ndërkohë në Spanjë ka patur një tjetër rritje rekord në numrin e viktimave. Në 24 orët e kaluara, janë regjistruar 849 vdekje të reja. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave rritet në 8.198.

Ka gjithashtu një rritje të dukshme në numrin e infeksioneve, pothuajse dhjetë mijë në një ditë, pas pesë ditësh që kishte patur ngadalësim. Rastet e azhurnuara janë 94.119, në krahasim me 85.195 të regjistruar dje. Janë 5,607 pacientë të shtruar në spital në kujdesin intensiv dhe 19,259 të cilët janë shëruar.

Belgjikë, ka ndërruar jetë një vajzë 12-vjeçare nga koronavirusi. Këtë e kanë konfirmuar autoritetet lokale shëndetësore.

“Është një ngjarje shumë e rrallë që na ka tronditur”, tha virologu Emmanuel André gjatë konferencës së zakonshme për shtyp, shkruan Le Soir. Vajza është viktima më e re në Europë, sipas gazetës, duke kujtuar se në Francë ka ndërruar jetë një i ri 16-vjeçar dhe në Portugali një djalë 14-vjeçar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *