Që prej fundit të vitit të shkuar, kur kryeministri Rama lajmëroi ndryshimet në qeveri duke larguar thuajse të gjithë ministrat për t’i zëvendësuar me emra të rinj, që sipas tij do i sillnin freski dhe një tjetër dinamikës qeverisjes, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me drejtorët e rëndësishëm të institucioneve në vend.
Ata nuk kanë bërë gjë tjetër veçse i i kanë lëshuar vendin njëri-tjetrit në një rrokadë lëvizjesh, brenda për brenda administratës.
Ish-ministrja për mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, u largua nga qeveria duke u zëvendësuar në këtë post prej Eduard Shalsit. Pas largimit nga ministria në fjalë, Qato u emërua në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke zëvendësuar në këtë pozicion, Afrim Qendron, që u largua nga detyra prej ministres së Infrastrukturës, Balluku.
Agron Hetoja ka qenë drejtor i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare që prej vitit 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste. Ai u emërua në krye të institucionit në fjalë nga ish-ministri i Infrastrukturës, Gjiknuri dhe e mbajti këtë post deri para pak ditësh, kur në datën 28 janar u largua si drejtor i KESH-it. Sot ai është emëruar në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Benet Beci është drejtori më jetëgjatë i administratës shtetërore. Ai ka mbajtur postin e kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit prej 13 vjetësh deri në datën 28 janar, kur u largua nga FSHZH-ja për t’u emëruar në krye të KESH-it, duke zëvendësuar në këtë pozicion Agron Hetonë.
Emri më i fundit në këtë listë është ai i Agim Ismailit, që është emëruar sot si drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në vend të Stefan Çipës. Para se të emërohej në krye të këtij institucioni, Ismaili ka mbajtur postin e drejtorit të AKU-së, kurse Çipa tani e tutje do të drejtojë Entin Kombëtar të Banesave. / Hashtag.al