Aeroplani i kancelares gjermane, Angela Merkel, u detyrua të bënte një ulje emergjente në Këln, pak pasi u nis për në samitin e G20-ës në Argjentinë, pasi shfaqi “probleme elektronike” në mes të fluturimit, raportojnë mediat gjermane.
Aeroplani i Merkelit, i quajtur “Konrad Adenauer”, duhej të kthehej pas vetëm një ore në fluturimin prej 15 orësh drejt Buenos Airesit, pasi shfaqi “mosfunksionim teknik”. Aeroplani i profilit të lartë u rrotullua në Holandë dhe bëri një ulje emergjente në Këln.
Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë automjetet zjarrfikëse me dritat e ndezura duke pritur për avionin në aeroport.
Një avion zëvendësues është dërguar në Këln nga Berlini për të marrë kancelaren gjermane dhe delegacionin e saj.
Mbetet e paqartë nëse vonesa do të ndikojë në orarin e Merkel në samitin e G20-ës, që nis të premten. Në Argjentinë pritet që Merkel të takojë presidentin rus, Putin për të diskutuar mbi Sirinë dhe Ukrainën, përfshirë incidentin e fundit në ngushticën Kerç.