
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Produkti”, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me strukturat e hetimit të krimeve të rënda dhe ato ekonomiko-financiare.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre shtetas në Shkodër: G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), dhe A. B., 61 vjeç, të dyshuar për disa vepra penale.
Sipas njoftimit zyrtar, të ndaluarit dyshohet se në bashkëpunim kanë kanosur për motive të dobëta dy shtetas (babë e bir), me qëllim përfitimi pasuror.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve në aktivitetin tregtar të dy prej tyre është konstatuar prodhim i produkteve ushqimore të pamiratuara nga autoritetet dhe në kushte që nuk përmbushin standardet higjeno-sanitare.
Në vijim të veprimeve, policia ka bllokuar aktivitetin dhe ka sekuestruar etiketa dhe stampa për tetë produkte ushqimore, si dhe tre aparate celularë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.