
xAI, kompania e inteligjencës artificiale e themeluar nga Elon Musk, po përballet me një sfidë të re ligjore në SHBA, pasi organizata mjedisore në shtetin e Misisipit kërkojnë anulimin e lejes për ndërtimin e një termocentrali me gaz natyror, përcjell CNBC.
Sipas dokumenteve të depozituara, disa organizata si NAACP dhe grupe lokale mjedisore pretendojnë se projekti në Southaven do të përkeqësojë ndjeshëm cilësinë e ajrit dhe do të rrisë ndotjen në rajon, përfshirë dioksidin e azotit dhe grimcat e imta.
Leja është dhënë nga autoriteti mjedisor i Misisipit më 10 mars dhe i lejon kompanisë instalimin e dhjetëra turbinave me gaz natyror për të furnizuar qendrat e të dhënave të kompanisë në zonë.
Aktivistët mjedisorë, të përfaqësuar nga Southern Environmental Law Center, pretendojnë se procesi i miratimit është bërë me vlerësime të pasakta të ndotjes dhe pa konsultime të plota me komunitetin lokal. Ata gjithashtu argumentojnë se nuk janë kërkuar standardet më të larta të teknologjisë së pastër dhe nuk janë marrë masa kompensuese mjedisore.
xAI nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtyre akuzave, ndërsa autoritetet mjedisore të Misisipit kanë konfirmuar se kërkesa për rishikim të lejes është marrë dhe do të shqyrtohet në procedurë administrative.
Çështja vjen në një moment kur rritja e infrastrukturës së inteligjencës artificiale po shton ndjeshëm kërkesën për energji në SHBA, duke hapur debat të gjerë për ndikimin mjedisor të këtij sektori në zhvillim.