
Zbardhen detaje të reja lidhur me bazën e armëve të zbuluar në fshatin Picallë të Tiranës, ku gjatë operacionit policor janë sekuestruar një arsenal i konsiderueshëm armësh dhe municionesh.
Sipas burimeve, poseduesi i dyshuar i këtij arsenali, Oltjan Qershori, ka qenë më herët pjesë e Forcave të Armatosura, por është përjashtuar nga shërbimi ushtarak disa vite më parë për sjellje jo korrekte.
Raportohet se agjentët e Komisariatit nr. 1 kishin siguruar informacion paraprak se 41-vjeçari posedonte një armë zjarri pa leje dhe për këtë arsye kanë organizuar ndërhyrjen në banesën e tij në Picallë. Sipas të dhënave, në momentin që ka konstatuar praninë e forcave të policisë, Qershori është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur një sasi të madhe armësh dhe municionesh, ndërsa brenda ndodhej vetëm nëna e tij, e cila fillimisht ka pretenduar se armët nuk i përkisnin familjes.
Burime hetimore bëjnë me dije se ndaj 41-vjeçarit ngrihen dyshime për përfshirje në veprimtari të paligjshme të lidhura me shitjen e armëve grupeve kriminale, ndërsa ai nuk rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.