Vendosni fjalën kyçe....

Britania tërhiqet nga dorëzimi i Ishujve Chagos pasi SHBA heq mbështetjen


Qeveria britanike është detyruar të tërheqë projektligjin për dorëzimin e Ishujve Chagos tek Mauritius, pasi Shtetet e Bashkuara hoqën mbështetjen për marrëveshjen.

Të premten, zyrtarë të qeverisë britanike pranuan se nuk kishin më kohë për ta miratuar projektligjin brenda sesionit aktual parlamentar, i cili përfundon në javët në vijim.

Kjo është një tjetër goditje për përpjekjet e Londrës për t’ia kaluar sovranitetin Ishujve Chagos Mauritiusit, ku ndodhet edhe baza ushtarake e përbashkët SHBA–MB në Diego Garcia.

Situata shihet si shenjë e përkeqësimit të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, pas kritikave të forta të Donald Trump ndaj kryeministrit Keir Starmer për mënyrën si trajtoi luftën me Iranin.

Një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi se Diego Garcia mbetet një aset strategjik kyç për të dy vendet dhe se siguria afatgjatë e saj është prioritet.

Ai shtoi se marrëveshja konsiderohet si mënyra më e mirë për të garantuar të ardhmen e bazës, por do të ecet përpara vetëm nëse ka mbështetjen e SHBA-së.

Trump e ka kritikuar më parë planin, duke i thënë Starmerit se po bënte “një gabim të madh” duke i kaluar sovranitetin Mauritiusit, në këmbim të vazhdimit të përdorimit të bazës ajrore nga SHBA dhe Britania. Megjithatë, në shkurt ai e kishte cilësuar marrëveshjen si “opsionin më të mirë” në rrethanat e krijuara.

Sipas marrëveshjes, Britania do t’ia kalonte sovranitetin Ishujve Chagos Mauritiusit dhe do të merrte me qira ishullin më të madh, Diego Garcia, për 99 vite, për të vijuar operimin e bazës ushtarake.

Megjithatë, SHBA nuk ka shkëmbyer zyrtarisht dokumentet për ndryshimin e traktatit britaniko-amerikan të vitit 1966, çka duket se ka detyruar Londrën të tërhiqet nga projektligji.

Tashmë, nuk pritet që një projektligj i ri për Chagos të përfshihet në fjalimin e Mbretit në maj, ku paraqitet axhenda e qeverisë për parlamentin e ardhshëm, shkruan The Guardian.

Ndërkohë, liderja konservatore Kemi Badenoch e kritikoi qeverinë, duke e cilësuar tërheqjen si një tjetër dështim të kryeministrit, i cili sipas saj po përpiqej të dorëzonte territor sovran britanik dhe të paguante miliarda për përdorimin e një baze që tashmë ishte në pronësi të Britanisë.

Raportimet tregojnë se ndryshimi i qëndrimit të Trump lidhet edhe me refuzimin e Britanisë për të lejuar përdorimin e bazave të saj për një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit.

Në të njëjtën kohë, Irani kishte goditur më parë bazën në Diego Garcia, duke paralajmëruar rrezik për jetët britanike.

Ishujt Chagos u shpallën territor britanik në vitin 1965, pasi u ndanë nga Mauritius para pavarësisë së këtij të fundit në 1968. Në atë kohë, mijëra banorë u dëbuan me forcë nga ishujt, të cilët prej vitesh kanë ndjekur procese gjyqësore për kompensim në gjykatat britanike.