Vendosni fjalën kyçe....

Xhaçka “investitor strategjik”, Arbi Agalliu: Skemë e ngjashme me inceneratorët


Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik në bregdetin e Himarës, ministres për punët e jashtme, Olta Xhaçka.

Deputeti demokrat Arbri Agalliu, ka dalë në një deklaratë për mediet ku shprehet se kjo është një skemë e ngjashme me atë të inceneratorëve, ku krijohen kompani fantazmë për të fshehur se kujt po i jepen pasuritë publike.

“Këto janë skema të njohura për Edi Ramën, ku miqtë e tij përdorin kompani fantazëm për të mbuluar përfitimet nga paratë apo pronat publike.

Pronat që u shtetëzoi pronarëve të vërtetë të bregdetit, Rama po ua jep ministrave të tij.”- shprehet Agalliu.

Ky reagim vjen pasi dy ditë më parë qeveria shqiptare miratoi një vendim, i cili i jep lejen për të përdorur për 30 vjet një sipërfaqe të madhe bregdeti në Gjilekë të Himarës një kompanie të quajtur AGTCC Hotel Management, pas së cilës qëndron Artan Gaçi, bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. 

DEKLARATA E AGALLIUT: 

Abuzimi me pronat e shqiptarëve dhe korrupsioni, nuk kanë të ndalur në qeverinë e Edi Rameës.

Pasi e shpalli veten pronar të vijës bregdetare të Shqipërisë, Edi Rama ka nisur ta shpërndajë atë te miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Një prej perfituesve është dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.

Edi Rama i ka dhënë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli dhe shfrytëzimin e një zonë bregdetare në Himarë, një kompanie në pronësi të ish-deputetit socialist, Artan Gaçi i cili është bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka

Kompanisë së bashkëshortit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, i është dhënë leja për përdorimin e një zone bregdetare në Himarë për një periudhë 30-vjeçare.

Në vendimin e Edi Ramës, kompania e bashkëshortit të Olta Xhaçkës, cilësohet si investitor strategjik.

Për te fshehur gjurmën, bashkëshorti i ministres Xhaçka, kishte futur në mes kompaninë ‘AGTTC Hotel Management’, kompani e themeluar tre muaj pas vendimit për shpalljen e investitorit strategjik.

Kompania ‘AGTTC Hotel Management’, është regjistruar në QKB me 25 qershor 2021 dhe është në pronësi të një 30 vjeçareje nga Massachusettsi, pa asnjë eksperiencë në biznes dhe pa burime të njohura financiare për të ndërtuar resort.

Veprimet për regjistrimin e kompanisë në QKB janë kryer nga  juristja e kompanisë së Artan Gaçit, bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Një skemë e ngjashme me inceneratorët.

Adresa e kompanisë AGTÇ Hotel management, është e njëjtë me dy kompanitë e krijuara me  punonjës të Artan Gaçit.

Këto janë skema të njohura për Edi Ramën, ku miqtë e tij përdorin kompani fantazëm për të mbuluar përfitimet nga paratë apo pronat publike.

Pronat që u shtetëzoi pronarëve të vërtetë të bregdetit, Rama po ua jep ministrave të tij.

Edi Rama është i korruptuar.

Qeveria e tij është e korruptuar.