Vendosni fjalën kyçe....

Vance niset drejt Pakistanit për bisedimet me Iranin: Mos tentoni të luani me SHBA-në


Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, është nisur drejt Pakistanit për të udhëhequr një raund kritik negociatash me Iranin, që pritet të zhvillohen gjatë fundjavës.

Përpara nisjes, Vance ka dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë drejt Teheranit, duke vendosur kushtet e Uashingtonit për mbarëvajtjen e bisedimeve.

“Mezi i pres negociatat, por ne do të punojmë me Iranin vetëm nëse ata veprojnë me besim të mirë. Nëse tentojnë të luajnë me ne, SHBA-ja nuk do të jetë aspak receptive,” deklaroi Vance përpara se të hipte në avionin Air Force Two.

Ndërkohë, në Islamabad janë shtuar masat e sigurisë, me pika kontrolli dhe forca paraushtarake në çdo rrugë, ndërsa delegacioni iranian nuk ka mbërritur ende. Situata diplomatike mbetet e ndërlikuar, pasi ka paqartësi të mëdha mbi fushëveprimin e armëpushimit dy-javor.

Ndërsa mediatori, Pakistani, pretendon se armëpushimi mbulon edhe Libanin, SHBA-ja dhe Izraeli këmbëngulin se bisedimet dhe ndalimi i zjarrit nuk përfshijnë këtë front.

Një zyrtar i lartë konfirmoi për mediat se Libani do të pranojë të marrë pjesë në bisedime të ndara me Izraelin javën e ardhshme, vetëm nëse vendoset paraprakisht një armëpushim i qartë.

Korrespondentët e sigurisë e përshkruajnë situatën aktuale si një “armëpushim vetëm në emër”, duke theksuar se çdo aspekt i marrëveshjes është i brishtë dhe i hapur ndaj provokimeve.

Paralelisht me nisjen e Vance, Presidenti Donald Trump ka lëshuar akuza ndaj Teheranit lidhur me menaxhimin e ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për transportin global të naftës.

Trump deklaroi se Irani po bën një “punë shumë të dobët” në këtë drejtim, duke shtuar prerë se ky “nuk është akordi që kemi rënë dakord”.