Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Salla nga Berati: 50 milionë euro për agropërpunimin, synojmë rritjen e pagave në bujqësi


Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, zhvilluan këtë të premte një takim me përpunuesit e vajit të ullirit në Berat.

Diskutimet u përqendruan në forcimin e skemave mbështetëse, investimet në teknologjinë e agropërpunimit dhe rritjen e standardit të jetesës për punonjësit e këtij sektori.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Salla vlerësoi modelin e Beratit si një histori suksesi që duhet të replikohet në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij, organizimi i fermerëve dhe bashkëpunimi i ngushtë me fabrikat e përpunimit rrit drejtpërdrejt vlerën e produktit final.

“Është një model që kemi krijuar me bashkinë e Beratit dhe me fermerët e përpunuesit e vajit të ullirit, të cilin do ta zgjerojmë në të gjithë territorin, në mënyrë që të krijojmë një ekonomi më të madhe bashkëpunimi mes fermerëve,” u shpreh Salla, duke shtuar se ky organizim krijon “25 deri në 30% më shumë vlerë” për shkak të efikasitetit.

Për të mbështetur këtë vizion, ministri bëri të ditur se qeveria ka alokuar shuma të konsiderueshme përmes skemave kombëtare dhe programeve të Bashkimit Europian. Fokus i veçantë do t’i jepet modernizimit të fabrikave që kthejnë lëndën e parë në produkt me vlerë të shtuar për tregun vendas dhe eksportin.

“Janë rreth 50 milionë euro të dedikuara për agropërpunimin, të cilat do të shtrihen në të gjithë territorin, duke ndërtuar modele konkrete në çdo bashki,” theksoi ai, duke nënvizuar se mbështetja financiare do të jetë kusht për rritjen e cilësisë.

Një pikë kyçe e bisedës ishte edhe përmirësimi i pagave për 35% të të punësuarve në vend që jetojnë përmes bujqësisë. Salla evidentoi progresin e shënuar në dy vitet e fundit sa i përket pagës mesatare në këtë sektor, duke e parë atë si një tregues të rritjes së qëndrueshme ekonomike në fshat.

“Nga një pagë minimale prej 40 mijë lekësh në vitin 2024, në vitin 2026 kemi një pagë mesatare mbi 50 mijë lekë. Ky është një progres që duhet ta mbështesim më tej,” deklaroi ministri, duke thënë se lehtësimi i barrës fiskale dhe skemat e reja do ta bëjnë bujqësinë një sektor edhe më tërheqës për investimet e reja.