Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka mbajtur një fjalim të fortë pas njoftimit të armëpushimit dy-javor, duke e cilësuar këtë moment si një “fitore ushtarake me V të madhe”.
Sipas Hegseth, operacioni “Epic Fury” ishte historik dhe dërrmues, duke e lënë ushtrinë iraniane të paaftë për të luftuar për vitet që do të vijnë.
Hegseth nuk i kursye tonet triumfatore, duke pretenduar se ishte Teherani ai që kërkoi me ngulm ndalimin e luftimeve pasi nuk po përballonte dot më goditjet.
“Presidenti Trump e farkëtoi këtë moment. Irani u lut për këtë armëpushim dhe ne të gjithë e dimë këtë. Ata e kuptuan se i erdhi fundi,” — deklaroi Hegseth, duke vlerësuar lidershipin e Donald Trump në këtë krizë, përcjell BBC.
Sipas Sekretarit të Mbrojtjes, objektivat ushtarake të SHBA-së janë përmbushur plotësisht, duke asgjësuar marinën dhe forcën ajrore iraniane.
Ai theksoi se Irani, të cilin e cilësoi si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë, u tregua tërësisht i paaftë për të mbrojtur popullin apo territorin e tij.
“Shteti që pretendonte se ishte fuqi rajonale doli i pafuqishëm. Sot ne zotërojmë qiejt e tyre. Ushtria e tyre është dhjetuar dhe nuk do të jetë më një kërcënim për SHBA-në siç ka qenë në 47 vitet e fundit,” — shtoi ai.
Hegseth e mbylli fjalën e tij duke e quajtur këtë “një ditë të madhe për paqen botërore”, por duke lënë të kuptohet se kjo paqe erdhi vetëm pas një shkatërrimi total të kapaciteteve mbrojtëse të Iranit.
Sipas tij, bota është tashmë më e sigurt pasi “makineria luftarake” e Teheranit është nxjerrë jashtë loje.
