Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata rrëzon padinë e Gentian Ndoit: Përzgjedhja e Joni Ketës në krye të BKH, e ligjshme


Gjykata Administrative e Apelit ka vulosur përfundimisht fatin e drejtimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Përmes një vendimi të marrë këtë të martë, trupa gjykuese rrëzoi me 3 vota pro padinë e kandidatit Gentian Ndoi, i cili kundërshtonte emërimin e Joni Ketës në krye të këtij institucioni.

Ndoi, i cili u rendit i pari në garë me numrin më të lartë të pikëve nga Komisioni Përzgjedhës, pretendonte se posti i takonte automatikisht atij. Ai kërkoi shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) të datës 19 dhjetor të vitit të kaluar, si dhe raportin e SPAK-ut që rekomandoi Joni Ketën si drejtues.

Megjithatë, Gjykata vlerësoi se procedura e ndjekur ishte tërësisht e ligjshme. Sipas argumentimit ligjor, renditja sipas pikëve nuk përbën një kusht detyrues për emërimin final.

“Ligji nuk parashikon që kandidati që merr më shumë pikë, propozohet automatikisht si Drejtor i BKH-së. Renditja sipas pikëve të vlerësimit nuk përbën një kusht për përzgjedhjen e drejtuesit,” — bëhet e ditur nga argumentimi i vendimit.

Gentian Ndoi kërkonte gjithashtu që KLP të detyrohej ta emëronte atë në detyrë dhe t’i paguante pagën e prapambetur që nga muaji dhjetor. Këto pretendime u hodhën poshtë, pasi diskrecioni për votimin e kandidatit i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa propozimi është kompetencë ekskluzive e SPAK-ut.

Me këtë vendim, Joni Keta konfirmohet ligjërisht në krye të organit më të rëndësishëm të hetimit në vend, duke i dhënë fund debateve procedurale që kishin pezulluar qetësinë institucionale pas garës së vitit të kaluar.

Materialet tashmë konsiderohen të mbyllura, ndërsa institucioni i BKH-së vijon punën nën drejtimin e Ketës.